E ardhmja e Kosovës është mbi interesat partiake e personale

Mehmet PRISHTINA

Secila parti që vjen në pushtet përpiqet ta ndërtojë narrativin e vet mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe kjo ka ndikuar që ato të humbin sensin e traditës dhe të kontinuitetitit të këtij procesi.

 

Sot, kur po kremtojmë 15 vjetorin  e Pavarësisë së shtetit të Kosovës, pak kujt i shkon ndërmend se mbi qiellin e atdheut tonë sërish do të paraqiten mjegulla, të cilat do ta bënin disi konfuze ecjen tonë si shtet dhe si shoqëri. Kemi ngritur institucione, kemi ndërtuar infrastrukturë, kemi fituar shumë atribute shtetërore, por nuk kemi aritur të krijojmë një strategji të mirëfilltë shtetërore që t’u përgjigjej të gjitha pritave që ngre koha. Dhe kur jemi te koha, ajo nuk matet vetëm me akrepat e orës, por edhe me tiktakun e veprimeve tona shtetndërtuese. Kjo është mirë të thuhet edhe në këtë përvjetor të pavarësisë së shtetit tonë, sepse ende nuk e kemi një doktrinë të përbashkët shtetërore për mbroktjen e interesave tona nacionale në çfarëdo kohe e rrethane.

Nëse u referohemi proceseve aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova do të vërejmë një diskordancë të palejueshme në mes pushtetit dhe opozitës, në mes asaj çka përmban momenti aktual dhe taktizimeve politike, në mes unitetit kombëtar dhe politikave partiake, etj.

Në demokracitë parlamentare gjithçka është e lejueshme brenda debatit konstruktiv, por kur debati nuk jep përgjigje kreative pë të dalë nga një situatë e palakmueshme, atëherë sigurisht që nuk është diçka në rregull me vetë debatin. Atij se i mungon sinqeriteti, ose vetëkritika, ose të dyja ngapak.

Në radhë të parë, nuk është në rregull me mënyrën se si politikanët tanë u qasen problemeve. Fitohet përshtypja se ata vënë karrierat e tyre politike mbi çështjen e Kosovës.

Fuqia mobilizuese e shoqërisë kosovare ende kalon vetëm nëpër kapilarët e organizimit partiakë, prandaj sot nuk e kemi ende një reagim të përbashkët, mbipartiak, për çështje me interes nacional si, bie fjala, çështja e Asociacionit të komunave serbe. Për më keq, ende nuk kemi as një trajtim akademik që në mënyrë shkencore paraqet argumentet për dhe kundër kësaj çështjeje.

E treta, secila parti që vjen në pushtet mundohet ta ndërtojë narrativin e vet mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës, gjë që ka ndikuar që ato të humbin sensin e traditës dhe të kontinuitetitit të këtij procesi.

Të gjitha këto anomali prodhojnë së bashku një ekzaminim socio-politik të shoqërisë sonë që nxjerr në pah pasojat e mosrregullimit të statusit të vitkimës së luftës, sepse politikanët tanë gabimisht e kanë përjashtuar komponentën viktimizuese të popullit. Për pasojë, ne nuk e kemi ende një institut apo një muze të gjenocidit mbi popullin tonë. Ende nuk e kemi as një aktakuzë të plotë me firmën e shtetit të Kosovës kundër Serbisë për gjenocidin ndaj popullit shqiptar.

Është detyrë e shtetit të bashkëpunojë me të gjithë faktorët politikë, me ekspertë të fushës dhe me shoqërinë  civile për sigurimin e provave për krimet shtetërore serbe mbi shqiptarët dhe detyrë e akademikëve, intelektualëve dhe artistëve t’i ofrojnë botës dëshmi të barbarive serbe në Kosovë.

Është detyrë e gjithkujt që me gjithë kapacitetet të sjellë dëshmi për gjithë çfarë ka bërë Serbia në Kosovë, për të gjitha maskrat, dhunimet, plaçkitjet dhe djegiet në Kosovës.

Në botë ka jo pak popuj që nuk kanë arritur të bëjnë shtetet e tyre. Ne jemi me fat që sakrificat e shumë brezave për krijimin e shtetit nuk shkuan huq. Jemi me fat që e patëm miq që na besuan dhe na ndihmuan në rugëtimin tonë drejt pavarësisë. Jemi me fat, sidomos, që fituam besimin dhe mbështetjen e Amerikës, aleatit më të sigurtë të popullit tonë.

Por, tani, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ndodhet sërish para sfidave që rrezikojnë kthim prapa në kohë të zymta. Sot Kosova kërcënohet sërish nga përpjekjet destruktive që mund ta bëjnë atë shtet jofunksional. Prandaj, sot, më shumë se kurdo, nevojitet strategji e veprim kombëtar për përballimin e këtij rreziku. Sot është obligim i secilit të kuptojë se fuqizimi i shtetit të Kosovës është interes nacional suprem dhe të luftojë të gjitha projektet që e cenojnë këtë interes.

Të gjitha partitë politike, të gjithë liderët, duhet të harmonizojnë programet e tyre politike për çështje me interes shtetëror e nacional dhe të veprojnë bashkërisht në hartimin e strategjisë nacionale për mbrojtjen e këtij interesi.

E ardhmja e Kosovës, shtetit të krijuar me djersën dhe gjakun e shumë brezave, kërkon më shumë punë e përkushtim, por edhe më shumë dashuri e harmoni.

Prishtinë, 17 shkurt 2023