E ardhmja nuk mund të futet në muze

Prof. Dr Skender ASANI

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik i cili do të hapte perspektiva për shumë çështje të përbashkëta nga fusha e ekonomisë, turizmit, energjetikës, shkëmbimit kulturor etj. Korridori 8 mund të jetë një nga ato çështje të përbashkëta, kurse e kaluara historike duhet të kalojë nëpër një process të ngadalshëm mirëbesimi recipropk, por gjithmonë duke aplikuar metoda që tash më janë të mirënjohura si zgjidhje afatgjate të problemeve të grumbulluara.

Nëse tejkalimi i ngërçit në mes të Bullagarisë dhe Maqedonisë së Veriut shikohet e ekskulzivisht nën prizmin e kontesteve e sherreve historike, atëherë marrdhëniet në mes të dy vendeve vështirë se do të shënojnë ndonjë përparim kurse e ardhmja e përbashkët e të dy popujve do të groposet dikund në istikamet e shekujve të kaluar.

Nëse i hedhim një sy marrëdhënieve në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë, do të vërejmë se më shumë ka gjëra që i bëjnë bashkë se sa që i ndajnë këto dy shtete. Prandaj në vend se të punohet që gjërat e përbashkëta të avancohen dhe të marrin një dimension të ri të mirëkuptimit reciprok, Shkupi dhe Sofja sikur po parapëqejnë që gjatë gjithë kohës ta mbajn shikimin në retrovizorët e historisë, por edhe këtë e bëjnë gabimisht, sepse nuk kanë arritur të gjejnë një formulë përbashkuese që do t’iu ofronte kompromis dhe avancim nga pozita zero. Ende Sofja dhe Shkupi, bie fjala, nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët sa i përket trajtimit të Holokaustit, një çështje kjo mjaft delikate e cila kërkon qasje profesionale dhe kurajo qytetare. Në fakt, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut mund të bien dakord që këtë çështje t’ia lënë IHRA-s për ta trajtuar, me kusht që të dy shtetet respektive t’i pranojnë rekomandimet e kësaj organizate kredibile e që do të përfshihen në marrëveshjen finale të mirëkuptimit në me të dy vendeve.

Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politike iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska, kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Kjo mund të vërehet në marrëdhëniet problematike në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe në zhvillimet aktuale në BeH.

Prandaj Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nuk guxojnë të ndjekin këto modele të këqia të tejkalimit të problemeve rajonale, dhe sidomos jo të presin epilogun e zgjidhjes së këtyre problemeve,  për arsye se perspektiva e këtyre dy vendeve përpos që duhet të jetë evropiane, ajo duhet të ngrihet mbi bazën e interesave të përbashkëta, e jo mbi “minat” e së kaluarës që mund të rrënojnë urat e së ardhmes. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë dhe temave puro etnike, siç është propozimi për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV apo ideja për ceremoini të përbashkëta në shënimin e ngjarjeve nga e kaluara hiustorike. Këto dhe çështje të tjera mund të prodhojnë domino efekte dhe të inkurajojnë rrymat politike ekstremiste që të kërkojnë reciprocitet në çdo propozim. Prandaj këto çështje të nxehta duhet të lihen që të marrin një dinamikë tjetër të zgjidhjes, atëherë kur niveli i mirëbesimit reciprok do të ishte në kulmin e tij.

Këto ide, në vend se të ofrojnë zgjidhje, ato e bllokojnë edhe më tepër procesin e shtensionimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, prandaj Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet sa më pare të përpilojnë një master plan të ri bashkëpunimi ku prioritet do të kishin  temat nga ekonomia, turizmi, transporti, kultura, shkenca e jo temat e nxehta të historisë, të cilat duhet të kalojnë në një proces të ngadalshëm të valorizimit të së kaluarës nën optikën e perspektivës euro-atlantike. Gjitashtu është e gabuar dieja që të gjitha këto problem të hapura të vendosen brenda një kornize të caktuar kohore për t’u zgjidhur. Çdo kornizim e dëmton procesin e përafrimit, prandaj limitet kohore duhet të mënjanohen nga vokabulari diplomatik të dy vendeve, në mënyrë që e ardhmja të mos bëhet peng i së kaluarës.

Gjithçka që i takon së kaluarës, përfundon në muze, kurse e ardhmja e përbashkët është reflektim i qasjes së drejt që i bëhet të kaluarës.

Por, e ardhmja assesi nuk mund të futet në muze!

Shkup, 18 shkurt, 2022