E hëna ditë zie në Kosovë

Prishtinë, 25 korrik 2021 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës që e humbën jetën tragjikisht, në aksidentin e trafikut në Republikën e Kroacisë.

Dhjetë persona e kanw humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur në aksidentin që ka ndodhur të dielën në mëmgjes, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci, ku një autobus nga Kosova ka dalë nga rruga dhe është përmbysur anash rrugës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se në autobusin e aksidentuar të linjës së rregullt Frankfurt-Prishtinë gjendeshin 67 udhtarw. Shumica prej tyre kanë qenë duke ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë.

“Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Presidentes Osmani.

Osmani ka qenë në Japoni për të përkrahur ekipin e Kosovës që po merr pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios.

(r.m.)