E veçanta dhe univerzalja e botës shqiptare

Skender ASANI

Historia e shqiptarëve, sa është e dhimbshme, po aq është edhe krenare. E veçanta e kësaj historie ndërlidhet me vet rrugëtimin e popullit shqiptar për të mbijetuar në rrethana e procese që jo gjithmonë ishin në duart e vet shqiptarëve. Falë këtij rrugëtimi të vështirë e të ndërlikuar, shqiptarët me vonesë e etabluan vetëdijen e tyre  në procesin historik të kombshtet-formimit. Por kjo nuk i pengoi ata që të ruajnë unitetin e brendshëm shpirtëror e kulturor, edhe përkundër një diversiteti të theksuar fetar, një vlerë kjo që i shquan shqiptarët dhe i bën të trajtohen si model për kombet tjera që e  kanë  të njejtin diversitet të brendshëm fetar si shqiptarët. Por ata, nuk e arritën atë që shqiptarët e kishin tejkaluar me kohë: që kauzat kombëtare asnjëherë nuk u eklipsuan nga ato fetare. Majfton të rishikojmë dokrinën ideologjike e kulturore të Rilindjes sonë Kombëtare dhe do të vërejmë se orientimi oksidental mbizotëronte në pikëpamjet  e rilindasve tanë dhe ky ishte një favor kapital për të ardhmen  tonë si komb që ndodhej i rrethuar nga errësira disa shekullore aziatike. Perden e trashë të kësaj errësire e grisën tekstet letrare e ideologjike të vëllezërve Frashëri, artikjut programatik të publicistit Shahin Kolonja e Nikolla Naçe,  pikëpmajet  e avncuara gjuhësore të Konstantin Kristoforidhit, epika brilante e Gjergj Fishtës, poezitë me patos social e kombëtar të Fipi Shirokës etj.

Shqiptarët kulturalisht i përkasin Perendimit, kurse në edukimin dhe formimin e tyre shpirtëror kanë ndikuar disa religjione:

-katolicizmi, ortodokizmi dhe protestanizmi ndikuan në avancimin e kulturës dhe arsimit,

-bektashizm shërbeu si urë lidhëse në mes të kulturave e feve të ndryshme dhe

-islami kontribuoi në trajtat e caktuara të mbijetesës në mjediset e përziera ku rreziku i asimilimit kombëtar ishte evident

Shqiptarët gjatë gjithë historisë u shoqëruan nga tradita e praktika të ndryshme fetare, por në kodin e tyre kulturorologjik ngeli e pandryshuar vertikalja kombëtare, si një shirit që përshkoi fjongon e diversiteteve tona fetare. Rrejidhimisht, i bie që shqiptarët fetë i përdorën si kostume që mund edhe t’i ndërrojnë varësisht nga festat, kurse kombin e mbajtën si shtyllë që garantoi qëndrueshmërinë e tyre ndaj rrebesheve të egra të kohës.

Tani kur jetojmë në një kohë me dimensione të shumanshme të multikulturalizmit dhe globalizmit, kombi shqiptar sërish ndodhet para sfidave të reja. Shpopullimi i vazhdueshëm që po ndodhë aktualisht në trojet tona, i ka zënë të papërgatitura elitat tona politike dhe për pasojë mungon një strategji efiksa për parandalimin e këtij procesi të dimbshëm, jo vetëm demografik, por edhe kombëtar. Familja shqiptare po shkon duke u reduktuar dhe duke u deatomizuar, dhe për pasojë rreziku nga asimilimi po bëhet eviend edhe për shkak të mungesës së një mekanizmi parandalues ndaj këtyre proceseve, sidomos në komunitetin tonë të madh të mërgatës shqiptare. Kjo e fundit i është ekspozuar një procesi degradues që po vjen si pasojë e një organizimi stihik, ku në të shumtën e rasteve dominon prirja për të hapur më tepr objekte fetare e më pak shoqata kulturore e shkolla kombëtare.

Një organizim i tillë i  diasporës sonë, jo vetëm që bie ndesh me kodin tonë kulturor, por prish edhe kohezionin civilizues e social në mjediset ku shqiptarët jetojnë e veprojnë. Prandaj botën shqiptare duhet ta konceptojmë si një organizëm që po vjen duke u zgjeruar dhe duke dalur nga amza e vet, ku organizimi kulturor, teknologjik e arsimor duhet të jenë dimensionet vendimtare që e bëjnë botën shqipatare të duket si një “fshat global”, siç do të thoshte komunikologu kanadez Marshall Mclluchan (Meklluhan).

Që të arrihet kjo, mërgata e madhe shqiptare duhet të braktis urgjentisht disa trajta të tanishme të organizimit fetar dhe në vend të kësaj të praktikohet mësimbesimi fetar ku do të trajtoheshin të gjitha religjinet që kanë ndikuar në formmin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve. Vetëm me kurikula të tilla të përbashkëta fetare, ku diversiteti i besimeve  do ta përforconte dhe më tepër bazën edukuese të fëmijëve tanë, ne si komb do të arrijmë t’i parandalojmë disa sfida që janë pasojë e prurjeve të pakontrolluara globaliste.

Karakteri gjithpërfshirës i programit kulturor të Rilindjes sonë Kombëtare duhet të jetë udhërrëfim edhe për gjeneratat e sotme dhe të ardhme, duke e ngritur në edukim të përgjitshëm historinë e përbashkët të formimit tonë si komb, ku kontributet e familjes Qiriazi bashkë me Frashërlinjtë dhe Bojaxhinjtë e Shkupit vulosën axhendën tonë kulturore e arsimore.

E veçanta e botës shqiptare duhet të jetë kultivimi i vëllazërisë së brendshme kombëtare e fetare, kurse univerzalja gjithsesi duhet të na shërbejë rruga jetësore e Nënës Tereze. Pra, shqiptarët në vend se të kultivojnë vëllazëritë e jashtme mbi axhenda fetare, duhet të përforcojnë vëllazërinë e brendshme, sepse ai është motori i vetëm që vë në lëvizje progresin tonë si komb.  

Ne duhet të jemi shumë me fat që nga gjiu ynë doli Gonxhe Bojaxhiu, të cilën bota e njohu si Nëna Tereze, e cila nga periferia barti dhe mori me vete përvojat kulturore që në thelb kishin diversitetin etnik e fetar, duke e shndërruar këtë përvojë në kauzë shpirtërore-univerzale. Nëna Tereze është shembulli më unikat i projektimit të shtëpisë së përbashkët për të gjithë njerëzit, pa pasur nevojë që ndonjeri prej tyre të ndjehet pronar, e ndonjëri qiragji. Shtëpia e madhe e Nënës Tereze ofroi strehë e ngrohtësi për të vemtuarit dhe braktisurit, për të sëmurët dhe të vobektit, kurse tapia e kësaj shtëpie ishte vet buzëqeshja e Nënës Tereze, e cila shpëndahej në skutat më të errta të vetmisë njerëzore.

Organizimi i komunitetit shqiptar në Kroaci, falë angazhimit këmbëngulës edhe të deputetes së nderuar znj. Ermina Lekaj-Përlaskaj si dhe të një armate të tërë veprimtarësh, mund të merret si model për mërgatën tonë në Europë dhe me gjerë. Hapja e tetë qendrave kulturore, që tani e tutje janë pronë e komuniutetit shqiptar në Kroaci, flet jo vetëm për seriozitetin e një qasje institucionale, parasegjitash të depuetes Përlaskaj dhe bashkveprimtarëve të saj, por edhe për një vetëdije të formuar kulturore e politike të këtij komuniteti, i cili e konsideron veten pjesë të proceseve të rëndësishme shtetmofrmuese në Kroaci.

Do të doja që edhe nga ky forum i sotëm të dalim më të qartë me visione e synime për të ardhmen tonë të përbashkët, duke forcuar lidhjet që na bashkojnë, dhe duke flakur veset që na ndajnë, sepse siç thoshte prof. Anton Çetta “Kur t’ja lshojsh tjetrit kryt n’dore, ta ven kapuqin qysh don ai, e jo qysh don ti”.

Zagreb, 12 nëntor 2022

(Kumtesë e lexuar në tribunën “Bashkëjetesa ndërshqiptare si shembull për Europën” që u mbajt në Zagreb)