E VËRTETA DO T’JU BËJË TË LIRË!

Nga Sami Repishti, Ph.D.

Ridgefield CT.- “Veritas vos liberadit!”, nji thanje e huazueme nga Bibla: “E verteta do të ju bajë të lirë!” Sa e vertetë ashtë kjo thanje u konfirmue këto vjetët e fundit në jetën politike të SHBA-së. E verteta lufton “gënjeshtren e madhe”!

    Nji vit mbas ngjarjeve tragjike të 6 janarit 2021 që rrezikuen ekzistencën e demokracisë në vendin botënisht të njohun si “fortesë e demokracisë”, të gjithë përpiqemi me pa ma qartë, përtej tymit e gazit lotues, xhamave të thyem e meturinave të dyerve e dritareve të prishuna me shkopij, shufra hekuri si dhe gjakderdhjes që u kushtoi jetën të pakten shtatë qytetarëve dhe plagosjen e 130 të tjerëve, me nji dam material 36 miljonë dollarësh. Sot, nuk mund të rezistojmë dëshiren – dhe domosdoshmeninë – e njohjes ma të plotë të këtij  akti brutal, gangsteresk, të nji mase të indoktrinueme nga nji ish president i mundun në kutitë e votimeve, aventurier politik, dhe përgjegjës kryesor I “gënjeshtrës së madhe” (the big lie) që padrejtësisht reklamonte pushtetin e humbur …..”nga manipulimet e palës fitimtare”(sic!)

     Qartazi, kemi të bajmë me nji akt kryengritje kundër demokracisë, përpjekje me kapë kupolën e  Administratës amerikane me forcë, nji akt i ideum, planifikuem dhe  zbatuem me dhunë dhe me inkurajimin e hapun të nji presidenti deshtues, ish- presidenti Donald J. Trump. Jr. Akti rebelues ka qenë fryma e fundit e përpjekjeve me pengue transferimin ligjor e normal të pushtetit presidencial  të Amerikës. Ky akt terrorist vazhdon me tronditë edhe sot situatën politike në SHBA.

     Editoriali i datës 2 janar 2022 i fletores The NYTimes mbante titullin:”Çdo ditë ashtë nji 6 janar për ne” megjithëse në sipërfaqe çdo gja rrjedh normalisht. Ashtë nji mashtrim që shumë votues e pranojnë me rrjedhime edhe ma kërcënuese. Ish presidenti deshtak vazhdon me projektue “gënjeshtren e madhe”  si e verteta e ditës pa paraqitë as edhe nji argument të vetëm justifikues. Ma në fund, Dhoma e Përfaqsuesve amerikanë vendosi me formue njI komision deputetësh nga të dy palët (kryetari demokrat, n/kryetari republikan) me nxjerrë “të vërteten”në shesh. Nga hetimet shumëmujore u konfirmue se fajtori kryesor ashtë, e mbetet, ish presidenti Trump, I cili vazhdon me helmue atmosferën politike me mashtrime dhe deklarata alarmuese. Akoma ma keq! Ai nxitë legjislatorët e shteteve të ndryshme me shumicë “republikane” me ba ndryshime, legjislacion që paturpsisht të shkelë ose të kufizojë të drejtat e qytetarëve tjerë, kryesisht të popullsisë afro-amerikane.

    NjI ndërhymje e Presidentit Biden u ba imperative, dhe përgjegjia e tij ishin fjalimet substanciale tëi 6 janarit dhe përsëri i 8 janarit 2022, në shtetin Georgia: nji kundërvuemje dinamike akteve “antidemokratike” dhe “antiamerikane”!

     Me 6 janar, Presidenti Biden iu drejtue qytetarëve amerikanë me nji demaskim të plotë të “gënjeshtrës së madhe’, me numërimin e qendrimeve të palës demokrate dhe me vendosmëninë mos me lejue marshin kercënues e gënjeshrat. Editoriali i 2 janarit përfundon: “Kurdoherë, përgjigjia e zakonshme ka qenë me thanë ‘nuk ashtë serioze’ ose ‘nuk do të ketë sukses’. Sa herë koha ka tregue se  kemi qenë të gabuem para se të bahemi ma serioz. Sa ma shpejt aq ma mirë, aq ma shpejt do të ushqejmë shpresën e shpëtimit në demokraci para rrezikut të madh”.         Me 6 janar, Presidenti Biden përcaktoi këte rrezik të madh si ” thika në fytin e Amerikës”! “ Ish presidenti i Shteteve të Bashkueme të Amerikës ka krijue dhe shpërnda nji çerdhe gënjeshtrash në lidhje me votimet e 2020-ës….Ai veproi kështu sepse ai preferon pushtetin ma  shumë se parimin, sepse ai shikon interesin e tij personal si ma të randësishëm se interesët e kombit tij dhe qytetarëve amerikanë, dhe për arsye se egoizmi i tij  i damtuem ka ma randësi për ate se demokracia e jonë e kushtetuta e jonë. Ai nuk ka forcë të mjaftueshme me pranue humbjen”.

     Profesori Jedesiah Britton-Purdy (Columbia Law School) thekson: “ Në se 6 janari ka qenë simptomë e njI krize në demokraci, përgjigja ma e mirë ashtë ma shumë demokraci. Ka mundësi që na nuk jemi të aftë për këte; në nji rast të këtill e ardhmja duket e zbehtë. Por mënyra ma e mirë ashtë me e provue”. Ai vijon:   

     “Vitaliteti i demokracisë nuk vjen nga nalt poshtë. Åi vjen nga faktikisht qeverisja dhe pranimi me u qeverisë nga të tjerët, dhe mësimi që nxjerrim nga këto dy qendrime. Ai vjen nga nji kerkim konstant për shumica të reja që evitojnë deshtimin  dhe bajnë jetët tona ma të mira me u jetue. Kështu na mësojmë me besue, bashkë me Walt  Whitman, se “çdo atom i imi ashtë aq i mirë sa  ai i yti”.E vetmja rrugë me

shpëtue demokracinë ashtë me e rindertue me realizëm”.

       Historia e ShBA-së ashtë historia e nji populli në kerkim të Lirisë së Individit.

Demonstratat, manifestimet, debatet e nxehta, çfaqjet e shrregullta e veprime të elementeve kryengritës janë fenomene  të nji orientimi që Kushtetuta amerikane

e përcakton  “….for a more perfect union…” për nji bashkësi ma të persosun; me nji fjalë, duhen ba përmirësime. E shkrueme 250 vjet ma parë, ajo nuk mund të përgjigjet për problemet e vitit 2022. Nji përcaktim i këtill krijon mundësinë e sugjerimit dhe diskutimit të lirë nga të gjithë, natyrisht nga qytetarë të lirë! Nji akt i vetëm për nji proces përparimtar që synon perfeksionimin e sistemit qeverisës. Prandej, kushtetuta amerikane ka Amendamentet, aktet shtesë e plotësues të Kushtetutës.

      Fjalimet e 6 dhe  8 janarit 2022 nga Presidenti Biden janë nji përmbledhje e parimeve qytetare të shoqënisë amerikane të aktualizueme në sistemin  qeveritar. Cila ashtë Amerika dhe çfarë synon sot populli amerikan? Luftën kundër përpjekjeve për ndasi në mes të popullsis, kundër nji ndamje kombëtare….akti ma anti-kombëtar! “Për të parën herë në histori nji President u përpoq me pengue proçesin e transferimit  te pushtetit paqësisht me ndihmen e nji turme dhunuese, tue damtue ndertesën e Kapitolit. Kjo, nuk lejohet! Biden na mëson si na do të zbulojmë të verteten, dhe se e  verteta na ban njerëz të lirë!

   “Na jemi këtu sot me tregue të verteten:

   Çfarë kemi pa? Na kemi pa, tha Presidenti, me sytë tonë si elementi i revoltuem kaloi nepër këto korridore tue kercënue jetën e Kryetares së Parlamentit (Zonjën Nancy Pelosi), tue ngritë shtyllat e litarit me varë NenPresidentin e Shteteve të Bashkueme të Amerikës (Mike Pence).

    Çfarë nuk kemi pa?

    Nuk kemi pa nji ish president të grumbullojë masat për sulm- tue ndejë në sallen e bukës para televizionit tij privat, pranë Oval Office-it në Shtëpinë e Bardhë që shikonte çdo akt në televizion dhe nuk bani asnji përpjekje për orë të tana ndersa policët sulmoheshin, jetën e tyne në rrezik, dhe kryeqyteti I vendit tonë i rrethuem. Këtu nuk kemi të bajmë me nji grup turistësh; këtu kemi të bajmë me kryengritje të armatosun. Qellimi i tyne ishte me mohue vullnetin e popullit (i shprehun në votime).”

    Ai pyetii: “A do të bahemi na nji komb qe nuk don të jetojë në dritën e së vertetës, a por në hijen e gënjeshtrës? “ dhe “ Å mund të mendojmë për nji skenar ma të shemtuem të këtij shekulli për Amerikën?….Unë nuk mendoj! Kjo ashtë e gabueme! Ashtë anti-demokratike! Ashtë anti-amerikane……”

     “E verteta ashtë se në këto votime (të 3 nandorit 2020)  në  historinë amerikane kanë qenë ma të mbikqyruna dhe ma mirë të numërueme se kurdoherë”….”Për këte, ai  (Trump) nuk ashtë vetëm nji ish president. Ai ashtë njikohësisht njI ish-president i mundun që dergoj militantët e tij me përndjekë anëtarët e Kongresit”.

    “Ju nuk  mund të doni vendin tuej vetëm kur ju fitoni!’

    “Ju nuk mund të bindeni para ligjit, vetëm kur ashtë në favorin tuej”.

    “Ju nuk mund të jeni patriot kur ju përqafoni dhe mundësoni gënjeshtrën!”

   “AtA që sulmuen Kapitolin dhe ata që e nxiten këte sulm kanë mbajtë thikën në fyt të Amerikës- të demokracisë në Åmerikë. Ata nuk erdhën këtu nga patriotizmi ose nga qendrimi parimor. Ata erdhen këtu nga egërsia – jo në sherbim të Amerikës, por në sherbim të nji personi….Premtimi që jep Åmerika sulmohet sot nga forca që vlerësojnë forcen brute ma shumë se shejtëninë e demokracisë; friken ma shumë se shpresen, fitimet vetiake mbi të mirën e përgjithëshme të popullsisë.                                                                                                                                                                                                                              

       Mos harroni se sot jetojmë  ne nji pikë udhë-kryq të historisë!”

     “Na jemi të angazhuem me fitue betejën për shpirtin e Amerikës…Unë do të qendroj në këte pozicion. Unë do të mbroj këte komb. Unë nuk  do të lejoj që kushdo qoftë të vej thikën në fyt të Amerikës”…..

    “Në thellësitë e shpirtit amerikan buron nji flakë e ndezun rreth 250 vjet ma parë -flakë e lirisë dhe barazisë për të gjithë. Kjo tokë, nuk asht vendi  i mbretënve,  diktatorëve, ose i autokratëve. Na jemi nji komb me ligje e rend publik e jo me kaos; nji komb i paqës dhe jo i dhunës. Këtu në Amerikë populli sundon me autoritetin ligjor të dhanun nga votimet, dhe vullneti i popullit ashtë kryesor.

      “ Le të mos harrojmë: së bashku na jemi nji  komb , nen mbrojtjen e  Zotit, i pandamë sot , nesër, përgjithëmonë me anën ma të mirë të qenies sonë,  na jemi Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Zoti bekoftë të gjithë ata që mbrojnë demokracinë”.

     Kështu foli Presidenti Biden!   

     Për ma shumë se nji vit, Presidenti Biden e injoroi kundërshtarin e tij dhe e quente “ai i së kaluemes”; kësaj rradhe ai angazhoi Donald J.Trump, Jr. direkt dhe trampizmin si nji çerdhe gënjeshtrash. Ajo që shqetëson shumicën e qytetarëve amerikanë ashtë mundësia që incidenti banal e fatal i 6 janarit të sherbejë me mobilizue qytetarë amerikanë me tendenca agresive me rritë tensionin politik në vend, dhe sidomos përdorimin e dhunës si mjet për avancim karrierash, kryesisht në mes të legjislatorëve të tanishëm dhe të ardhshëm.

      Kryetari I Senatit amerikan, Senator Mich McConnell, deklaroi:“ data 6 janar 2021 do të kujtohet si …nji ditë e zezë për Kongresin dhe për vendin tonë!” 

       Mbas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë Amerikane, 4 korrik 1776, turma rrethoi kongresistin amerikan Benjamin Franklin dhe e mbuloi me pyetje. Plaku I urtë u përgjegj: “Na e themeluem shtetin amerikan. Tashti, ashte detyra e juej ta mbroni dhe ta zhvilloni”.

      Demokracia nuk ashtë nji shprehje e thjeshtë dhe e zakonshme. Unë e shoh demokracinë si nji angazhim i marrun lirisht dhe vullnetarisht nga qytetarët e lirë me mbrojtë jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi, për të gjithë qytetarët pa dallim, pa përjashtim, për nji jetë  të lirë nga frika dhe të lirë nga uria.

      Sinonimi i “demokracisë” ashtë “pjesëmarrja”, dhe fryma e punës demokratike ashtë “kompromisi”, jo me parimet por me zbatimin e vendimeve të marruna, pa sakrifikue “të mirën” në altarin e “përsosjes”.

     Së  bashku arrihet “fitorja finale”.

===================================================================

Comment

*