Ecuador: Dëshmitarët rrëfejnë për vrasjen e shqiptarit Ergys Dashi

Quito (Ecuador), 24 janar 2022 – Mediat e huaja kanë zbardhur detaje të reja nga vrasja e 34-vjeçarit shqiptar Ergys Dashi, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në një restorant në veri të Guayaquil-it në Ekuador.

Bëhet me dije se 34-vjeçari ka marrë tre plumba në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë gjetur 28 gëzhoja.

Sipas raportimeve të “El Universo”, dy persona mbërritën në ambientet e jashtme të restorantit, ku po darkonte Ergys Dashi me një “Ford Explorer” të zi.

Njëri prej tyre hyri me një buqetë me lule në dorë në restorant, teksa personi i dytë i cili mbante një kapuç në kokë qëndroi në portën hyrëse të restorantit.

Punonjësit e restorantit thanë se vrasësi ka tentuar të hyjë paqësisht, me pretekstin e dorëzimit të disa luleve, por më pas ka kërcënuar punonjësin e lokalit që i ka kërkuar kartën e vaksinimit. Pasi hyri, ai qëlloi 38-vjeçarin shqiptar, i cili po priste ushqimin. Dashi ishte në shoqërinë e një burri tjetër, i cili u zhduk menjëherë nga vendngjarja pas nisjes së të shtënave.

Viktima ishte ulur në fund të biznesit, i cili në atë kohë ishte i mbushur plot me njerëz. Kur filluan të shtënat, të pranishmit filluan të vrapojnë të dëshpëruar, ku disa arritën të largoheshin nga restoranti dhe të tjerët u hodhën në dysheme dhe u mbuluan derisa sulmi përfundoi.

Në vendngjarje janë gjetur të paktën 28 gëzhoja. Dëshmitarët thanë se personi i cili e ekzekutoi 38-vjeçarin, ishte personi i cili hyri në restorant me buqetën me lule.

“Ai që e qëlloi ishte njeriu që hyri me lule, armën e mbante në buqetë”, deklaroi dëshmitari.

Vrasësit janë larguar me motoçikletë. Ndërkohë që e plagosur mbeti dhe një grua, kliente në restorant, e cila mori një plumb në këmbë.

Si u lidh i riu nga Durrësi me një grup mafioz të “Camorra”-s

Sipas të dhënave hetimore që lidhen me ekzekutimin e shqiptarit në Ekuador, bëhet me dije se ka dyshime që Ergys Dashi ka lidhje të forta me Lulzim Berishën dhe dy miqtë e tij, konkretisht Plarent Dervishajn dhe Eldi Dizdarin, të cilët rezultojnë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por që kanë gjetur strehim në Dubai.

Sipas të dhënave, mësohet se Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga Policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona.

Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3- vjeçar nga autoritete italiane në Akuila.

Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara dhe u tha se droga shitej me një çmim konkurrues dhe se grupi ishte aq i fuqishëm sa Policia italiane i konsideroi si pjesë të “Camorra”-s.

Ergys Dashi nuk është shqiptari i vetëm që u ekzekutua për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Pak vite më parë është vrarë edhe Adriatik Tresa, i cili u ekzekutua në hyrje të shtëpisë së tij nga 6 persona të maskuar si policë.

Ndërsa në mars të 2018-ës u vra shqiptari Fadil Kaçaniç bashkë me të shoqen, Fatimen, po për shkak të trafikut të drogës. 64- vjeçari i vrarë barbarisht bashkë me gruan e tij ishte njeriu që porosiste drogën që menaxhonin shqiptarët në Europë.

Ata u gjetën të vdekur në një zonë të banuar pranë qytetit të Guayaquil. Edhe në 2016-ën u vra shqiptari Ilir Hidri nga Vora me 3 plumba pas koke po në qytetin ku u vra edhe Dashi.

(Panorama.al)