Edhe dy muaj arrest shtëpiak për Limajn e të tjerët

Prishtinë, 19 qershor 2013 –  Fatmir Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte, të njohur si “rasti Kleçka”, u është vazhduar edhe për dy muaj masa e arrestit shtëpiak. Lajmin e ka  bërë të ditur avokati i Limajt, Tomë Gashi.
Më 7 qershor, gjykatësi i EULEX-it, Malkolm Simons, pat marrë vendim për heqjen e masës së arrestit për Limajn e të tjerët, por Gjykata e Apelit në Prishtinë ua riktheu atyre masën e arrestit shtëpiak, pas ankesës së prokurorit të EULEX-it, Maurizio Salustro.
Vitin e kaluar, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe të akuzuarit tjerë lidhur me “rastin Kleçka”, por pas ankesës së prokurorit, Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim për kthimin e rastit të rigjykim.

Përveç Fatmir Limajt, ish-komandant Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar lidhur me “rastin Kleçka” janë edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime të kryera ndaj popukksisë civile në fshatin Kleçkë të Komunës së Malishevës.

R.M.

Comment

*