Edhe dy muaj paraburgim për shoferin e autobusit të aksidentuar në Kroaci

Sllavonski Brod (Kroaci), 1 shtator 2021 – Shoferit të autobusit të Kosovës që u aksidentua në Sllavonski Brod të Kroacisë i është vazhduar edhe për dy muaj masa e paraburgimit.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Igor Cisper.

Ai ka thënë se gjykata e ka marrë këtë vendim me arsyetim se shoferi kosovar mund të arratiset për t’iu shmangur drejtësisë, ndonëse mbrojtja kishte ofruar si garanci 100.000 kuna (mbi 13 mijë euro).

Avokati ka thënë se shoferi i paraburgosur nuk është në gjendje të mirë.

“Ne ofruam garanci prej 100,000 kuna, por gjykata nuk e pranoi shumën. Klienti im bisedon me familjen e tij në Kosovë çdo ditë, por nuk është aspak të mirë”, ka thënë ai.

Avokati ka treguar se prokuroria dhe mbrojtja janë në pritje të ekspertizës së ekspertëve të trafikut që të konstatohen shkaqet e aksidentit.

Autobusi me targa të Kosovës që po kthehej nga Gjermania u vetaksidentua në autostradën A3 afër Sllavonski Brodit në Kroaci. Në këtë aksident mbetën të vdekur 10 kosovarë dhe pësuan lëndime trupore 45 të tjerë. (r.m.)