Edhe shtatë të arrestuar lidhur me rastin “Brezovica”

Prishtinë, 6 janar 2022 – Shtatë persona janë arrestuar të enjten, më 6 janar, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës lidhur me rastin “Brezovica”.

Gjatë operacionit, i cili është në vazhdim e sipër, janë bastisur disa lokacione në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Shtërpcë, si edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Për momentin janë shtatë të arrestuar”, ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

Ai ka thënë se operacioni i sotëm është vazhdimësi e operacionit të 21 dhjetorit, dhe ka të bëjë me ndërtimet pa leje ose lejet e kundërligjshme të ndërtimit në Qendrën Dimërore në Brezovicë.

Më 21 dhjetor, janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar lidhur me ndërtimet ilegale në Brezovicë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili dyshohet për veprat penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje  ryshfeti.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, kishte thënë se Nikoliq dhe të arrestuarit tjerë dyshohet se kanë marrë villa, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e villave dhe të objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Sharrit, ku gjendet Brezovica.

(r.m.)