Edi Rama apo Ilir Meta – nuk janë dakord kush do të bëhet kryeministër

Ambicia e Ilir Metës për karrigen e kryeministrit është konsideruar si një ndër shkaqet e prishjes së marrëveshjes së koalicionit të majtë në vitin 2008, në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009

 

Nga Dardan Malaj

Karrigeja e kryeministrit të pas 23 Qershorit e ka thyer qetësinë në marrëdhëniet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetëm dy muaj pas ringjizjes së aleancës së majtë dhe largimit të Ilir Metës nga koalicioni qeverisës, ambicia për drejtimin e ekzekutivit ka hapur një spirale tjetër në gjirin e opozitës.

Mbi 37 forcat politike të cilat janë bashkuar në Koalicionin Aleanca për Shqipërinë Evropiane duket se nuk e kanë të qartë cili subjekt përbën lokomotivën e cilët do të jenë vagonat.

Shkëndijën e ka ndezur ish Ministri i Ekonomisë Nasip Naço gjatë një takimi elektoral të mbajtur të dielën në Qarkun e Beratit. Naço i cili është aktualisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim garon në krye të listës së këtij subjekti në Qarkun e cili konsiderohet si bastion për partinë e Ilir Metës.

“Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë lokomotiva e së majtës, e majta e bashkuar do t’i japë vendit një progres të ri. Me votën tuaj, Ilir Meta do jetë Kryeministër i Shqipërisë dhe Kryeministri më i mirë”, u shpreh Naço në mitingun ku ishte i pranishëm edhe kreu i partisë.

Një deklaratë e cila është përjetuar me tension në rradhët e opozitës dhe kryesisht në eksponentët e Partisë Socialiste. Reagimi i parë emotiv ishte ai i deputetes së Beratit Ermonela Felaj e cila përmes një komenti në rrjetin social Facebook deklaroi se nuk mund të ketë dy Kryeministra pas 23 Qershorit. “Më 23 Qershor, Berati, Kuçova, Skrapari dhe gjithë Shqipëria do të votojë vetëm për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën Kryeministër”, shkruante Felaj. Një koment i cili vetëm pak minuta më pas u fshi nga profili i deputetes në Facebook.

Ambicia e Ilir Metës për karrigen e kryeministrit është konsideruar si një ndër shkaqet e prishjes së marrëveshjes së koalicionit të majtë në vitin 2008, në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Në atë kohë LSI e deklaronte hapur se synohej marrja e mandatit të kryeministrit duke e kushtëzuar Partinë Socialiste.

Duke shfrytëzuar këtë situatë konfuze brenda së majtës, Kryeministri Sali Berisha në një takim të mbajtur të hënën në Gjirokastër deklaroi se dyshja Rama-Meta nuk mund të quhen opozitarë.

“Zoti Rama ka qenë për 11 vjet personi i dytë më i rëndësishëm në fuqinë ekzekutive të vendit, kryetar i bashkisë së Tiranës. Zoti Meta qëndroi 4 vjet si Zv/kryeministër dhe ministër në qeveri edhe iku me qëllimin ose të marrë kreun e Partisë Socialiste ose të marrë karrigen time, që nuk do e marrë kurrë. Kjo është e vërteta. Këta janë këta të freskëtit opozitarë”, u shpreh Berisha me ironi.

Socialistët nga ana e tyre janë përpjekur të qetësojnë gjithçka duke mos i shërbyer nisjes së një debati publik që do të kishte jo pak kosto në radhët e anëtarësisë në prag të nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore.

I pyetur nga mediat kryesocialisti Edi Rama pohoi se asnjë diversion mbi fjalime apo fjali të thëna mes entuziazmit të fushatës nuk do të funksionojë. Aleanca jonë, insistoi ai, është kompakte dhe PS është forca udhëheqëse e kësaj aleance në sintoni të plotë me LSI si pjesë e boshtit. “Mos kini as merakun më të vogël se kush do të jetë kryeministri pas fitores, është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për tu zgjidhur bazuar mbi çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit”, theksoi Rama.

Kushtetuta e Shqipërisë i jep të drejtën e formimit të qeverisë koalicionit i cili arrin të marrë numrin më të madh të mandateve në zgjedhje. Ndonëse Partia Socialiste do të jetë forca e cila do të kryesojë koalicionin e majtë, mandatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim mund të jenë jetike për plotësimin e 71 mandateve që kërkohen për krijimin e qeverisë. Në kushte të tilla, LSI e Ilir Metës teorikisht e ka hapësirën për të kushtëzuar krijimin e qeverisë me marrjen e postit të kryeministrit.

Duke u përfshirë në debat, Ilir Meta u shpreh për gazetarët se ajo çka është rënë dakord me Edi Ramën është se pas 23 Qershorit nuk do të jetë më kryeministër doktori, siç ai e quan kryeministrin Sali Berisha. Një përgjigje e cila e lë të hapur lojën brenda të majtës dhe shton dilemat deri në 23 Qershor.

 

Comment

*