Edi Rama në Rahovec: Do t’i heqim plotësisht tarifat doganore me Kosovën

Prishtinë, 19 qershor 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në fabrikën e prodhimit të miellit, M&Sillosi në Xërxë të Rahovecit, ka bërë të ditur se qeveria që ai drejton, do t’i heq të gjitha tarifat doganore me Kosovën, duke nisur nga produktet bujqësore.

Rama këtë e tha ndërsa vizitoi këtë kompleks të përpunimit të grurit,  ndërsa bëri thirrje që edhe qeveria e Kosovës ta bëjë të njëjtën gjë, anise tha që do ta respektojnë kërkesën e tyre për të analizuar më gjatë këtë çështje.

”Bashkë me ministren [Frida Krifca] flisnim për rritjen e bashkëpunimit dhe për shkrirjen komplet të të gjithë pengesave të kufirit, edhe kur vjen puna tek produktet bujqësore, kjo është A-ja. Ne kemi bërë një plan që do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë, ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Nuk ka kuptim të heqim për vendet e Ballkanit të Hapur e mos t’i heqim për Kosovën. Kështu ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarëdo vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri”.

Rama ka thënë se nuk ka kuptim të hapet kufiri për Ballkanin e Hapur e mos të hapet për Kosovën.

”Anasjelltas duhet ta bëjë qeveria e Ksoovës por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithësesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë”, deklaroi Rama.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë do të mbajnë të hënën mbledhjen e tetë të përbashkët.

Sipas agjendës, në këtë takim pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.

Hapja e sesionit plenar të mbledhjes do të nisë në orën 11:15, ku ministrave fillimisht do tu drejtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pas tij edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas kësaj do të bëhet prezantim mbi infrastrukturën portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Këto projekte do të prezantohen nga drejtori i Royal Haskoning DHV, Eric Smit.

Deri më tani janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve.

Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt më 26 nëntor 2021, e cila përfundoi me firmosjen e 13 marrëveshjeve.

(Telegrafi)