Edi Rama premton sjelljen e tapive origjinale nga Turqia

Kontradiktat e Partisë Socialiste për të ardhmen e pronave – Partia Republikane e akuzon kryesocialistin për vizion “anarkist me reminishenca të hapura bolshevike”

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka përsëritur ditët e fundit faktin se zgjidhjen e çështjes së pronave do ta zgjidhë përmes dokumenteve origjinale të pronësisë që do ti jepen nga një vend mik.
Burime nga Partia Socialiste pohojnë se ka marrë aprovimin nga qeveria turke, përmes një agjensie të specializuar në këtë fushë që të bëjë të mundur marrjen e një database të plotë rreth pronave të shqiptarëve deri në vitin 1944.
Pas ardhjes në pushtet të komunistëve në 1944, pas Luftës së Dytë Botërore, shumë nga tapitë e vjetra u zhdukën, ndërsa në vend u zbatua reforma agrare, ku toka iu mor pronarëve dhe ajo iu shpërnda fshatarëve në mënyrë proporcionale sipas personave që jetonin në një familje. Pronarët u shpronësuan, ndërsa më vonë pjesa më e madhe e tyre u shpallën armiq të popullit, të cilët patën një fund fatal ndërsa shumë nga familjarët e tyre u internuan në kampe dhe zona të thella malore.
Në takime me banorë të zonave rurale, Edi Rama është shprehur se do të bëjë fillimisht një transparencë të plotë të asaj që është bërë në këto 22 vjet me pronat.
“Ne do të bëjmë transparencën më të plotë publike për gjithçka ka ndodhur me pronat e bregut. Për gjithçka ka ndodhur me pronat e shqiptarëve, me ato prona të të parëve të tyre dhe me ato prona të përbashkëta tonat, nga ta cilat nuk mund të lejojmë që të përfitojnë një grusht grabitqarësh, por duhet të krijojmë kushtet që të përfitojë i gjithë populli shqiptar. Ne jemi në gjendje, e këtë e them me shumë përgjegjësi, nuk flas më mbi bazën e dëshirave të përgjithshme apo ideve, por flas mbi bazën e thellimit në këtë drejtim, që të bëjmë së pari një operacion publik të rishikimit të kthimeve dhe kompensimeve korruptive. Kemi kontaktuar agjenci të specializuara ndërkombëtare dhe kemi marrë miratimin në parim që do të bashkëpunojnë me ne. Te kjo do të bazohemi edhe në shtënien në dorë të dokumenteve origjinale të pronësisë si motra të dokumenteve të falsifikuara që mbetën në Shqipëri pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe do t’i marrim nga një vend mik”, është shprehur kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.

Kontradikta

Por në të njëjtin takim me banorët e Orikumit në Vlorë, kryesocialisti është shprehur se do të bëhen pronarë të tokës ata që e punojnë.
“Ne do t’i japim certifikatën e pronës atyre që punojnë tokën. Kush ka 20 e ca vjet që rropatet me tokën, 18 orë dhe ju është thënë kjo tokë është e jotja dhe sot e gjithë ditën nuk merr letrat, nuk e meriton të trajtohet si bujkrob në mes të Europës dhe të jetë skllav i kësaj maskarade që vazhdon vetëm për të përfituar një grusht njerëzish. Ne do të bëjmë certifikimin e tokës bujqësore”, u shpreh Rama në takim me banorët e Orikumit.
Kjo deklaratë e Ramës ka sjellë reagime nga të djathtët, të cilët e cilësojnë këtë filozofi të njëjtë me atë komuniste që ua mori tokën pronarëve dhe ua dha fshatarëve jo pronarë.
Partia Republikane kundërshtoi premtimet e Edi Ramës lidhur me çështjen e tokave. Duke iu referuar parullës “Toka i takon atij që e punon”, kjo parti tha se Rama i është kthyer premtimeve leniniste.
“Vizioni juaj anarkist, me reminishenca të hapura bolshevike, janë pasojë e një politike të pathelluar shteruese, madje egoiste që përbuz pronarët e vërtetë, që thellon edhe më tej problemet e pronës në vendin tonë. Ndaj do të ishin mjaft shqetësuese për partnerët tanë kombëtarë të cilët e njohin dhe vlerësojnë si të shenjtë pronën private. Partia Republikane është e bindur se këto premtime do të priten me indiferentizëm dhe pasivitet nga elektorati, madje do të shpërfillen si karikatura të demokracisë”, është shprehur Maksim Begeja, kryetar politik i Partisë Republikane për Qarkun e Tiranës.

Pluralizmi

Pas viteve ’90 çështja e pronës edhe pse e sanksionuar në disa programe politike të partive kryesisht të djathta, si Partia Demokratike dhe Partia Republikane, çështja e pronës në vend që të zgjidhej është bërë më e komplikuar se asnjëherë. Përmes ligjit 7501, i cili bëri shpërndarjen e pronave të kooperativave bujqësore dhe fermave bujqësore shtetërore punonjësve të vet, duke e ndarë atë sipas numri të personave në një familje, mjaftonte që ai të ishte punëtor i kooperativës apo fermës shtetërore. Por që nga ai moment nisi beteja që vazhdon dhe është e vështirë të përfundojë ndërmjet pronarëve të vërtetë dhe atyre që e përfituan këtë pronë sipas ligjit të ri të pronës, 7501. Një numër i madh pronarësh vijojnë betejat në dyert e gjykatave të shtetit shqiptar, për të cilat raportet serioze të agjencive ndërkombëtare i cilësojnë ato si më të korruptuarat.