Egin Ceka jep dorëheqjen si diplomat: Rama dhunoi me fjalë dhe fizikisht

Në Shqipëri, Komisioni Hetimor i Kuvendit po dëgjon dëshmitë mbi incidentin e 24 prillit në Vjenë – Rama dhe bashkëorganizatori Fatmir Velaj kanë hedhur poshtë plotësisht akuzat e diplomatit Egin Ceka

Denion Ndrenika

Diplomati Egin Ceka i Misionit të Shqipërisë në OSBE, thotë se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e dhunoi me fjalë dhe fizikisht kur i tërhoqi vërejtjen për akuzat si të politizuar të Trupit Diplomatik. Zoti Ceka, i cili dëshmoi në Komisionin Hetimor të Kuvendit është djali i ambasadorit të Shqipërisë në Itali, Neritan Ceka. Diplomati Ceka, i cili shpjegoi takimin me zotin Rama deklaroi se ishte fyer dhe cënuar në dinjitet. Ndërsa dha dorëheqje nga detyrat publike, diplomati Ceka tha se e përmbajti veten dhe nuk denoncoi zotin Rama në policinë e Austrisë: “Gjesti i Ramës ishte një tejkalim i kufirit të komunikimit ndërnjerëzor, një akt i dhunshëm, cenim i personalitetit. I shpreha mendimin se një njeri që sillet në këtë mënyrë nuk meriton të qeverisë shqiptarët as edhe një minutë! Gjithashtu i bashkova edhe atributin “plehër” si fjalën e vetme të rëndë që përdora ndaj tij. Gjesti tinzar i Ramës do të kishte merituar një përgjigje në formë grushti. Vetëpërmbajtja ime ishte vetëpërmbajtje e shtetit. Jap sot para jush dorëhqjen time të parevokueshme nga detyra e nëpunësit të shtetit shqiptar”.
Kryesocialisti Edi Rama e ka hedhur poshtë incidentin, por nuk ka pranuar të dëshmojë. Organizator bashkë me Akademinë Diplomatike të Vjenës të veprimtarisë, Fatmir Velaj i mohoi komisionit gjithashtu që të ketë pasur incident ndërmjet zotit Rama dhe diplomatit Ceka: “Kam dëgjuar zotin Ceka që i tha: “Ju jeni plehëra, ju jeni ndyrësira”! Jo për atë që u tha në media se zoti Ceka mbrojti dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, por ka qenë një çështje personale se “përse ma zini mua emrin në gojë nëpër media për nepotizëm”. Nuk dua të ndërhyj, sepse janë arsyet e tyre. Zoti Rama nuk e ka ditur që ky është një diplomat, por i kam thënë unë në ambasadë që “ky është djali i Neritan Cekës”.
Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi dhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, Vili Minarolli i thanë deputetëve komisionerë se zoti Rama e cenoi dinjitetin dhe imazhin e Shqipërisë. Opozita nuk merr pjesë në Komisionin Hetimor.