Ekonomia e eurozonës rrudhet edhe më tej

Nga Pandeli Pani

 

Ekonomia e eurozonës është rrudhur edhe më tej – në tremujorin e parë të këtij viti, për herë të gjashtë radhazi. Recesioni është tashmë realitet në Francë, në ekonominë e dytë për nga madhësia të eurozonës.

Ekonomia gjermane thuajse ra në recesion gjatë fundit të vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2013. Pas një rënie në fund të vitit 2012, ajo arriti në periudhën janar-mars vetëm një rritje minimale prej 0.1 për qind, njoftoi Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden.

Dimri që u shtrua duarkryq këtë vit në Gjermani dhe akulli dhe bora bënë që në shumë kantiere ndërtimi, në muajt shkurt dhe mars, të bëhej pushim i detyruar.

Industria e ndërtimit e frenoi në këtë mënyrë mjaft ekonominë gjermane. Për shkak të krizës së euros sipërmarrjet investuan shumë më pak se kishin planifikuar. Edhe eksportet gjermane shënuan rënie.

Por megjithë këto rrethana frenuese, produkti i brendshëm bruto shënoi në Gjermani rritje: plus 0,1 përqind, pas minus 0,7 përqind, në fund të vitit të kaluar. Kështu Gjermania nuk ra në recesion. Por recesioni është tashmë realitet në Francë, në ekonominë e dytë për nga madhësia të eurozonës. Për herë të dytë radhazi, ekonomia shënoi një minus prej 0,2 përqind.

Politikanët në Francë duan ta luftojnë krizën me programe konjukturore shtetërore. Ministri i Financave të Francës, Pierre Moscovici, mendon “Ne duhet të bëjmë diçka këtu në vend, për të rritur aftësinë konkuruese. Edhe në plan evropian duhet të gjenerojmë rritje e të krijojmë vende të reja pune dhe për këtë angazhohemi.” Rritje ekonomike dhe vende pune – për asgjë më tepër se këto nuk ka nevojë Evropa. Sepse ekonomia e eurozonës është rrudhur edhe më tej – në tremujorin e parë të këtij viti, për herë të gjashtë radhazi. Italia, ekonomia e së cilës shënoi një minus prej 0,5 përqind, ndodhet madje në recesionin më të gjatë prej dekadash.

Comment

*