Ekspertiza: Në vendin e ngjarjes gjenden 20 gëzhoja, nuk dihet kush qëlloi i pari

Tiranë, 22 prill 2021 – Pjerin Xhuvani, militanti i Partisë Socialiste, rezulton të jetë qelluar me 5 plumba, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ekspertët mjeko-ligjorë e kanë njoftuar prokurorinë e Elbasanit se Xhuvani ka vdekur si pasojë e goditjes me një plumb në kokë dhe me katër plunba në trup, ndërsa goditja me armë zjarri ka ardhur nga një distancë të vogël.

Në vendgjarje policia ka sekuestruar 20 gëzhoja pistolete, të cilat besohet se u përkasin dy armëve të ndryshme, njëra e kalibrit 9 milimetra dhe  tjetra e kalibrit 11.1 milimetra.

Të 20 gëzhojat janë çuar për ekzaminim në laboratorin e Policisë Shkencore, për të kryer krahasimin e tyre me armën që e ka dorëzuar tek komandanti i RENEA-s, Arbër Paplekaj.

Deri në këtë fazë të hetimit, ish-efektivi i RENEA-s, Paplekaj akuzohet për veprat penale: “Vrasje në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave në mënyrë të rrezikshme, “Vrasje e punonjësit të policisë” mbetur në tentativë dhe “Heqje e paligjshme e lirisë, të kryer me dhunë” e kryer në bashkëpunim me 9 persona.

Kush qëlloi i pari?

Çështja mbetet e paqartë përsa i përket faktit se kush ishte personi që ka qëlluar i pari, Klement Xhaferri ose “Kel Çami” që është shpallur në kërkim apo ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj.

Situata për zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes kërkon kohë dhe hetime të mëtejshme. Pritet që në ditët në vijim, Prokuroria e Elbasanit të verifikojë me imtësi edhe aparatet telefonike që u janë sekuestruar personave të arrestuar, me qëllim që të mësojë rreth komunikimeve që personat kanë pasur mes tyre.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në 21 prill 2020 tronditi qytetin e  Elbasanit, rreth orës 14:00, pasi ish-efektivë policie dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan një automjet të shtetasit Mehmet Grejsi, i cili dyshohej nga PD se po shpërndate lekë dhe blinte votat në lagjen “5 Maji”.

Bllokimi i automjetit dhe mbajtja përmes forcës dhe dhunës së Mehmet Grejsit, ka sjellë përdorimin e armëve deri në ekzekutimin e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e 4 personave të tjerë si Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.

(OraNews.tv)