Ekspertiza: Rudolf Elezoviq është vrarë me një plumb në kokë

Podgoricë, 10 qershor 2021 – Ekspertët e mjekësisë ligjore të Malit të Zi, konfirmojnë se oficeri i antidrogës nëUlqin, Rudolf Elezoviq, është vrarë me një plumb në kokë, para dhjetë ditësh.

Hetuesit dyshojnë se oficeri i antidrogës së Ulqinit dhe Tivarit është ekzekutuar në një vend tjetër dhe më pas është çuar buzë lumit Buna, pranë fshatit Shëngjergj të Ulqinit.

Sipas mediave malazeze, policia nuk e ka gjetur armën apo gëzhojën e plumbit. Pranë trupit të tij të pajetë nuk është gjetur asnjë provë që do të ndihmonte grupin hetimor.

Fillimisht ishte dyshuar se ai ishte vetëvrarë, por pas këqyrjes me imtësi të vendit të ngjarjes, policia arriti në konkluzionin se Elezoviq është vrarë.

Elezoviq ka qenë shef i policisë së Ulqinit gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014. Së fundmi ai ishte oficer në sektorin e antitrafikut për rajpnin e Ulqinit dhe Tivarit. Ai ka qenë shefi i peracionit të antidrogës të kryer në muajin shkurt, gjatë të cilit u kapën 2.6 tonë drogë në një kamion,si edhe i operacionit të kryer një muaj më pas, ku u kapën edhe 500 kg marihuanë. Kohët e fundit, ai ishte përfshirë në një tjetër hetim për trafikun e drogës.

I ndjeri Elezoviq i kishte humbur kontaktet me familjen e tij më 27 maj, kurse në media u ngritën dyshime se ai mund të ishte vrarë nga bandat kriminale që veprojnë në Mal të Zi.

Zhdukja e Elezoviqit u raportua në polici nga gruaja e tij, Marina, më 27 maj, pasi bashkëshorti i saj nuk po u përgjigjej telefonatave.

Elezoviq është larguar në mënyrë të beftë nga banesa, duke marrë me vete vetëm celularin dhe duke lënë mjetet e identifikimit, armën e punës dhe gjërat tjera personale.

Në bisedën e fundit, ai u kishte thënë familjarëve se do të shkonte deri për një punë në Shkodër dhe se do të kthej shpejt. Dyshohet se pas hyrjes në Shqipëri, ai është takuar me një person dhe është kthyer prapa, përmes kufirit ujor.

Gjurma e fundit e celularit të Elezoviqit është regjistruar në zonën kufitare ujore, në afërsi të Pentarit dhe Reçit, territor i Shqipërisë, afër Shën Gjergjit, ku është gjetur trupi i tij i pajetë.

(r.m.)