Ekspozitë kushtuar viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 14 prill 2022 – Një ekspozitë me piktura të vendosura në oborrin e presidencës së Kosovës synon të nxjerrë në pah dhimbjet dhe stigmën me të cilën përballen gratë dhe burrat e Kosovës, që ishin viktima të përdhunimeve gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Ekspozita u hap në nderim të 14 prillit, Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e shpallur nga presidentja Vjosa Osmani.

Përfshirja e kësaj date në kalendarin e ditëve përkujtimore në Kosovë, është një nga kërkesat e organizatave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, të cilën e paraqiti Shyhrete Tahiri, e mbijetuar e përdhunimeve nga forcat serbe.

“Të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të shqyrtohen dhe plotësohen kërkesat për ndryshime ligjore të renditura në letrën avokuese në mënyrë që plotësohen zbrazëtirat ligjore dhe të mbijetuarit e luftës të përfitojnë nga këto ndryshime”, tha zonja Tahiri.

Në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017, kur edhe u caktua një pension prej 230 eurosh.

Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, një proces që pritet të zgjasë 5 vjet. Deri më tani, sipas institucioneve janë paraqitur më shumë se 1 mijë e 600 kërkesa ndërsa afër 1 mijë e 50 personave u është njohur statusi i viktimës.

Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, u bëri thirrje viktimave të regjistrohen në Komisionin për verifikimin e tyre.

“Për shkak të stigmës, paragjykimit, mbylljes së kësaj plage brenda familjes, hezitojnë familjarët. T’ju garantojmë që ky proces është plotësisht i garantuar dhe identiteti i të mbijetuarve të dhunës seksuale asnjëherë nuk shpaloset, do të thotë janë të gjitha masat e parapara që të mbijetuarve të dhunës seksuale të mos ju shpaloset identiteti, të ju ruhet konfidencialiteti dhe privatësia”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale janë shndërruar në rrëfyes dhe tregim të sinqertë të vuajtjeve dhe përjetimeve të popullit të Kosovës. Ajo tha se 23 vjet pas luftës në Kosovë, kontinenti evropian po përballet prapë me trishtim.

“Sot disa prej jush por edhe shumë gra tjera në Kosovë bashkëndjenjë dhe e kuptojnë më së miri dhimbjen e trishtimin e zhgënjimin që janë duke përjetuar vajzat dhe gratë në Ukrainë por edhe në vende tjera të botës”, tha ajo.

Presidentja Osmani u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë këto raste me përparësi

“Heshtja për këto krime nuk ka vend në përpjekjet tona për drejtësi sepse drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryen këto krime do të ballafaqohen me drejtësinë. Lirinë e kemi fituar por paqja për shumë qytetarë e qytetare tona nuk do të jetë e plotë përderisa drejtësia dhe ndëshkimi për krimet e bëra, të jetë përfundimtare”, tha ajo.

Në korrik të vitit të kaluar, një gjykatë në Prishtinë dënoi me dhjetë vjet heqje lirie një serb të Kosovës, të akuzuar për përdhunim gjatë luftës së vitit 1999. Ky mbetët rasti i parë i dënimit për një krim të tillë në Kosovë.

Çështja e dhunës seksuale të lidhura me konfliktet ishte temë e një debati të organizuar një ditë më parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Përgjatë debatit, ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kritikoi mospërfshirjen e krimeve seksuale të kryera në Kosovë, në raportin e sekretarit të përgjithshëm për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin. Ai tha se zërat e më shumë se 20 mijë grave dhe vajzave të përdhunuara gjatë konfliktit në Kosovë duhet të dëgjohen sikurse zërat e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale në mbarë botën.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)