“Elektrosever” merr licencë për furnizim me rrymë të veriut të Kosovës

Prishtinë, 24 qershor 2022 – Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi të premten licencën për kompaninë “Elektrosever”, për furnizim meenergji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Bordi i ZRRE-së votoi me pesë vota për dhe asnjë kundër.

“Elektrosever” është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (“Elektroprivreda Srbije”), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan)

Licencimi i saj është paraparë me marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj u arrit më 21 qershor.

Me këtë marrëveshje parashihet që konsumatorët në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës ta paguajnë vetë rrymën e shpenzuar.

Nga fundi i luftës, më 1999, deri më 2017, rrymën për ta e kanë paguar qytetarë të pjesëve tjera të Kosovës. Nga 2017-ta e këndej, për shkak të ankesave të shumta, barra e pagesës i ka kaluar Qeverisë së Kosovës.

Banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës kanë refuzuar të paguajnë energjinë e shpenzuar për shkak të mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave paralele serbe që kontrollohen nga Beogradi.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, tha të premten se qytetarët e katër komunave në veri (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, “Elektrosever”.

Përndryshe, ZRRE-ja miraton çdo vit tarifat për operatorët e tjerë energjetikë.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar më 21 qershor se “Elektrosever” nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë, qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar, ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.

Rrjedhimisht “Elektrosever” mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, EPS.

(REL)