Elena Mihal Gjika ( 22.01.1828 – 17.11.1888)

Enciklopedi e gjallë, kampione e palodhur e çështjes së kombësive, e çlirimit të gruas, mbretëreshë e pashembullt e Shqipërisë.

“Deri në frymën time të fundit do të punoj për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, atdheut tim të nderuar”.

Elena Gjika

Nga Shefqet Saliu

Elena Gjika (Dora d’Istria), princeshë, me origjinë nga Lugina e Sipërme e Vjosës, është një figurë e rëndësishme e qytetërimit europian si publiciste dhe shkrimtare. Ajo ka botuar një numër shkrimesh, që dëshmojnë jo vetëm njohjet e gjuhëve rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, greqisht (e vjetër e moderne) dhe rusisht, por edhe njohuritë në fushën e shkencës, fesë, politikës si dhe talentin e kurajën për të paraqitur pikëpamjet e saj. 

Elena Gjika ka qenë personalitet letrar e shkencor, që mbështeti fuqishëm lëvizjen kombëtare shqiptare dhe u bë e pavdekshme me emrin letrar Dora d’Istria. Për shekullin e 19-të, ajo është cilësuar kampione e palodhur e çështjes së kombësive dhe kampione e luftës për të drejtat e gruas. Është autore e rreth 150 studimeve dhe artikujve. Botimet e saj trajtojnë çështje të artit, të ekonomisë politike, të historisë, të filozofisë, të folklorit si dhe tregime, përshkrime, mbresa udhëtimi etj.

Nëntë nga veprat e saj kanë të bëjnë me Shqipërinë e me shqiptarët, si: “Gratë në Lindje” (vëll. I, 1859), “Kombi shqiptar sipas këngëve popullore” (1866), “Vizatimet shqiptare” (1868) etj.

Dora d’Istria që në moshën 14-vjeçare përktheu në gjermanisht nga origjinali “Iliadën” e Homerit. Me dijet e mëdha dhe kulturën e gjerë fitoi emër të madh në fushën e letërsisë dhe të arteve të asaj kohe, u zgjodh anëtare nderi e shumë shoqërive dhe rretheve kulturore europiane, u radhit në mes të 10 grave më të ngritura intelektuale të epokës, u evidentua që kur ishte gjallë në fjalorët enciklopedikë më të dëgjuar, duke u krahasuar me gratë më të shquara të kulturës europiane. Dijetarët e shumë njerëz të tjerë të shquar e quanin atë “enciklopedi e gjallë”.

Elena Gjika, me origjinë përmetare, kishte talent të spikatur edhe në pikturë. Në vitin 1845, në moshën 16-vjeçare, mori pjesë në ekspozitën e arteve figurative të Drezdenit dhe nëntë vjet më vonë në një ekspozitë tjetër në Shën Petërburg.

Ajo përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një varg studimesh, si: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d’après les chants populaires); “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore” (Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale, 1867);Shqiptarët në Rumani (Gli albanesi in Rumenia, 1873) etj., ajo vuri në dukje, nëpërmjet këngëve popullore historike, luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Në shenjë mirënjohjeje për punën e bërë dhe për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull “Dora d’Istrias – Shqiptarët” (A Dora d’Istria – Gli Albanesi, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike. 

Në vitin 1880, Elena Gjika udhëtoi në SHBA, ku takoi poetin e “Hajavathës”, Henri Longfelloun, të cilit i foli me pasion për Shqipërinë dhe Skënderbeun, sa e frymëzoi artistin e famshëm 80-vjeçar të shkruante poemën “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, poemë që aq mjeshtërisht e përktheu më pas Fan S. Noli në shqip.

Duke njohur mirë cilësitë e shqiptarëve, Elena Gjika shkruan: “Shqipëria në të gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Kombi shqiptar është një popull i fortë, i fuqishëm, porsi shkëmbinjtë ku jeton. Shqiptarët janë të gjallë, të gëzueshëm, punëtorë e zemërbardhë. Kur është puna për t’i dalë zot atdheut të vet, ata janë heronj në kuptimin e ngushtë të fjalës. Populli shqiptar ka nxjerrë ushtarë e luftëtarë që kanë habitur botën me trimëritë e tyre, si Pirroja, Aleksandri, Skënderbeu etj. Një popull si ky yni nuk do të shkatërrohet dhe dua të besoj se ne nuk do të vdesim para se ta shohim atdheun të lirë prej zgjedhës së barbarëve.”[1] 

Ajo pati letërkëmbime me atdhetarët e saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitkoja, De Martino dhe me personalitete të huaj si Garibaldi; me dijetarë e albanologë të mëdhenj si Ksilandri, Bopi, Hani, Shlajheri, Tomazeu etj. U vlerësua si një nga përfaqësueset më shprehëse të gjendjes shqiptare në botë. Në përgjigjen që u jep më 4 maj 1881 treqind vajzave të Shkodrës, kur ato i çuan një pendë argjendi, Elena u shkruan: “E mora me kohë pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë. Uroj që kjo pendë, më e fortë se një skeptër, të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar”.[2] 

Ja çfarë i shkruan në një letër De Radës, kur vizitoi Greqinë dhe u përul mbi varrin e Marko Boçarit, rënë në luftë për lirinë e Greqisë: “Duke vendosur në Misolong lule mbi varrin e Boçarit, u luta që ta shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të madh flamuri që ai ka mbrojtur me lavdi në njëqind beteja. Na u realizoftë kjo aspiratë”. 

Ajo padit me trimëri traktatin famëkeq të Berlinit, duke formuar një mendim shumë të mirë në botë. Denoncoi me rreptësi Fuqitë e Mëdha të Europës që kishin vendosur ta copëtonin Shqipërinë për të kënaqur lakmitë e tyre pushtuese dhe ato të qarqeve shoviniste-monarkiste fqinje. Nëpërmjet saj, shumë dijetarë e shkrimtarë të huaj u njohën me çështjen shqiptare, me historinë, folklorin, gjuhën tonë dhe shkruan për probleme e shqiptarizmit.

Dora d’Istria iu kushtua njohjes dhe studimit të poezisë popullore të një vargu kombësish të Europës Juglindore, si shqiptare, rumune, serbe, bullgare, turke etj. Ajo shtroi kërkesën për të shmangur ndasitë fetare e krahinore, duke pasur të qarta synimet grabitqare të fqinjëve, hyri në marrëveshje me Garibaldin, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar me armë kryengritjen e armatosur që duhet të shpërthente në Shqipëri. Në vitin 1866 u bë avokate kryesore e shqiptarëve në Europë. Në vitin 1866 botoi një artikull me titull “Kombësia shqiptare”.

Arbëreshët në Itali e shpallën: “Elena Gjika – mbretëreshë e pashembullt e Shqipërisë”. 

Elena Gjika, me rrënjë shqiptare, u lind në 22 janar 1828 në Bukuresht. Ajo ishte e bija e Mihal Gjikës (1794-1850), vëllait të Princit të Vllahisë, Grigor Gjika, dhe e Katerina Gjikës, lindur në Francë (1809-1853).

Mësimet në vegjëli i mori në Kostancë, Bukuresht, ndërsa të lartat në Drezden (Gjermani), në Vjenë (Austri), në Venecia (Itali) dhe së fundi në Berlin, ku u diplomua në fushën e letërsisë së vjetër greke, te profesori gjerman Alexander von Humboldt.

Origjina shqiptare e Gjikajve shënohet dhe përcaktohet përherë nga autorë, fjalorë e enciklopedi: Gjikajt rrjedhin nga qendra e banuar Pëllumbar, Rrëza Juglindore e trevës së Përmetit, të cilët në atë kohë kishin rreth 200 vjet që jetonin në Rumani.

Për origjinën përmetare të saj shkruajnë shumë shkrimtarë e publicistë të kohës: 

Thimi Mitko:Elenë Gjikë Përmeti dhe ‘Lul’ e mali të qytetit, ke dalë rri mbanë detit, të afron er’ e Përmetit”. 

Naim Frashëri: “Dorë d’Istra nga Përmeti/me dituri të një deti…”.

Sami Frashëri, në enciklopedinë e asaj kohe, e quan Pëllumbarin si vendbanim të të parëve të Gjikajve. 

Stilijan Adhami: “… tradita gojore flet për zanafillën e Gjikave nga fshati Pëllumbar, rrëzë Nemërçkës…”. Ilo Mitko Qafëzezi shkruan se “Elena Gjika është nga Gjinkari” (Rrëza e Përmetit).

Vetë Elena Gjika e ka shpallur botërisht origjinën e saj shqiptare. Ajo krenohej për origjinën prej një populli aq të lashtë e fisnik dhe mbajti gjithnjë qëndrim dashamirës ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe arbëreshëve. “Deri në frymën time të fundit, – i shkruan ajo në vitin 1881 një miku arbëresh, – do të punoj për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, atdheut tim të nderuar”. 

Në vitin 1846, Elena martohet me Princin rus, Kolcoff-Massalas, që rridhte nga një familje e vjetër mbretërore. Jeta bashkëshortore zgjati vetëm shtatë vjet. Mendimet liberale të saj, karakteri pak i shkueshëm i të shoqit, ftohtësia që gjeti në shoqërinë e lartë të kryeqytetit dhe klima bënë që ajo të divorcohej. Pak kohë pasi u largua nga Rusia, i vdiq i vogël edhe djali i vetëm. Periudhën 1856-1860 e kaloi në Zvicër, duke u dhënë pas studimeve. Kur shëndeti iu përkeqësua, ajo, sipas këshillave, ndërmori një udhëtim nëpër Greqi dhe Anadoll. Përfundimisht u kthye në Itali, ku jetoi në një vilë në Firence gjer ditën që vdiq, më 17 nëntor 1888.

Shefqet SALIU


[1] – Stiljan Adhami, muzeolog e historian, “Përmeti dhe përmetarët në faqet e historisë”, vit. bot. 2001, fq. 310, vep. e  cit

[2] – S. Adhami. po aty, fq. 311.