Elvin Gogaj merr 11 vota si drejtues i prokurorisë Apel, Durrës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka vendosur në mbledhjen e sotme të ndryshojë Drejtuesin e Prokurorisë së Apelit në Durrës.

Ky institucion drejtohej deri ditën e sotme nga prokurorja e komanduar Afërdita Ndoj.

Por sot 11 anëtarët e KLP-së, kanë vendosur ti ndërpresin komandimin Afërdita Ndoj, dhe në vend të saj të emërojnë me 11 vota pro, drejtuesin e ri, prokurorin, Elvin Gogaj.

Për këtë post drejtues, ka kandiduar dhe prokurori, Etien Kapo. Por me sa duket për shkak të mos plotësimit të kritereve të parashikuara nga ligji, prokurori Etien Kapo, është tërhequr, duke bërë që kolegu i tij, Elvin Gogaj të emërohet në krye të Prokurorisë së Apelit Durrës me vota unanime.

Megjithëse Gogaj, u çua nga KPK-ja për 1 vit të ndiqte shkollën e magjistraturës, ai arriti të kalonte të dyja shkallët e “Vettingut”, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e Komisionerit Publik.

Gogaj, në karrierën e tij ka shërbyer si drejtues i disa prej prokurorive më të rëndësishme të vendit, si zv/drejtues në Vlorë, Drejtues prokurorie në Fier, Burrel, Elbasan, Kurbin.

Drejtues prokurorie në Apelin e Shkodrës dhe pas vendimit të sotëm, ai emërohet sërish Drejtues Prokurorie Apeli në Durrës.

Kjo prokurori ka një juridiksion të mbulimit të çështjeve penale në qytetet, Durrës, Elbasan, Çërrik, Peqin, Librazhd, Prrenjas, Belsh, Kavajë, Rrogozhinë dhe Shijak./OraNews/