Ema Bonino e cilëson historike Marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prishtinë, 19 qershor 2013 – Ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Emma Bonino, e ka vlerësuar lart përkushtimin e institucioneve dhe autoriteteve shtetërore të Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, të martën në Prishtinë, shefja e diplomacisë italiane e ka cilësuar marrëveshjes si hap historik, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe historik, i cili është në të mirë të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, citohet të ketë thënë ajo.

Ministria e Jashtme italiane ka thënë se Italia do të vazhdojë mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Shefi i qeverisë kosovare, edhe me këtë rast,  ka theksuar vullnetin e institucioneve shtetërore që kjo  marrëveshje të fillojë të zbatohet menjëherë, në mënyrë që edhe në pjesën veriore të Kosovës të krijohen mundësi për zhvillim ekonomik dhe për funksionim normal të institucioneve legjitime.

R.M.