Ema Uka, aktorja kosovare që po bën karrierë si modele në New York

Aktorja Ema Uka, e njohur në Kosovë si Lyra e serialit televiziv “O sa mirë”, jeton prej disa vitesh në New York, në Shtetet e Bashkuara. Atje tani është modeled he është mjaft e suksesshme.

Ema, në një intervistë për Telegrafin, ka treguar se ajo ka debutuar si modele në vitin 2019, në Javën e Modës së New York ut, me prezantimin e veshjeve të brendeve “Temraza” dhe “A Humming Way”.

Ajo ka thënë se nuk ka shkuar  në Amerikë për t’u bërë modele, por në botën e modelingut ka hyrë fare spontanisht.

“Mund të them që ka ndodhur spontanisht. Në New York unë fillimisht erdha si turiste dhe menjëherë rash në dashuri me energjinë dhe mundësitë që ka ky vend.(…) Po ashtu, unë jam tip që e sfidoj veten dhe mendoj që Neë Yorku është vendi i duhur për këtë gjë”, është shprehur ajo.

Ema ta thënë se tani është pjesë e disa agjencioneve të modelingut në New York dhe se rrugëtimin e saj në botën e modës e kanë bërë më të lehtë njerëzit me të cilët bashkëpunon ajo.

“Kam qenë me fat që nga fillimi sepse kam bashkëpunuar me persona të duhur dhe kjo e ka bërë rrugëtimin tim si modele më të lehtë. Tashmë jam pjesë e disa agjencioneve të modelingut këtu në Neë York”, ka thënë ajo.

“Jam e kënaqur por normalisht, pres nga vetja të arrij edhe më shumë. Mund të them jam shumë afër asaj çfarë kam për synim në fushën profesionale si modele”, ka shtuar  ajo.

Megjithkëtë, Ema ka thënë se paralelisht me modelingun do të merret edhe me aktrimin. Ajo ka treguar se së shpejti do të luajë në një serial televiziv, por nuk ka shpjeguar në mënyrë më të detajuar për këtë përvojë të re të saj.

“Shumë shpejt fansat do të kenë mundësi të më shohin në një serial, xhirimet e të cilit do të fillojnë së shpejti. Është krejtësisht diçka ndryshe nga ajo çfarë më kanë parë deri tani. Është projekt amerikan, xhirimet do mbahen në Florida. Kaq informacione mund të jap për momentin, por do ndaj me ju çdo gjë në rrjetet sociale”, ka thënë ajo.

Ema e ka cilësuar si eksperiencë shumë të bukur eksperiencën e saj në botën e modelingut në Amerikë. Ajo ka shfaqur shpresën se eksperianca e saj mund t’u shërbejë femrave shqiptare që ëndërrojnë të hyjnë në këtë botë.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe motivuese. Pa dyshim, është edhe moment krenarie për mua dhe shpresoj se sado pak kam qenë inspirim për femrat e tjera shqiptare që kanë ëndërr të prekin suksesin edhe jashtë vendit të tyre”, ka thënë ajo.

Ema ka thënë atë që thuhet prej kohësh për Amerikën  si një vend mundësish.

“Asgjë nuk është e vështirë në Amerikë nëse punon shumë, nëse ke ambicie dhe nëse krijon kontakte dhe raporte të mira me personat që punon. Duhet të jesh shumë e përkushtuar dhe e disiplinuar. Rekomandimet vlejnë shumë”, ka theksuar ajo.

(r.m.)