Emigracion: Disa informacione lidhur me politikat që kanë të bëjnë me “barrën publike”

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka lëshuar një deklaratë si dhe ka dhënë shpjegime lidhur me ndryshimet në politikat e administratës së mëparshme ndaj çështjes së “barrës publike”. Sipas USCIS-it ato politika krijuan pengesa të ndryshme dhe të pajustifikuara si administrative ashtu dhe joadministrative. Sipas USCIS-it, informacioni lidhur me këtë çështje do të zvogëlojë frikën dhe konfuzionin që mund t’u kenë sjellë pengesa emigrantëve dhe familjeve të tyre, përfshirë dhe fëmijëve. Qëllimi kryesor i përpjekjeve të tyre tani është që të jenë të paanshëm dhe të ndalojnë padrejtësitë në atë masë që parashikon ligji.

Ligji i barrës publike vendos nëse dikush që nuk është nënshtetas amerikan duhet lejuar ose jo të hyjë në Shtetet e Bashkuara, bazuar kjo në gjasat që personi në fjalë ka pranuar ose ka të ngjarë të pranojë përfitime të caktuara publike (duke u kthyer kështu në një barrë publike). USCIS-i po rikthen rregullat që ishin në fuqi përpara administratës së presidentit Trump, të cilat ishin më pak të shtrënguara.

USCIS-i vë në dukje që këto rregulla nuk do t’u vënë kushte emigrantëve për të kërkuar trajtim mjekësor nëse janë me COVID-19. USCIS-i inkurajon këdo, përfshirë dhe të huajt, që përsa i përket COVID 19-ës, të mos ngurrojnë të kërkojnë ndihmën e nevojshme mjekësore, ku përfshihet trajtimi dhe shërbimet e natyrës parandaluese. Nëse kualifikoheni, mund të kërkoni shërbime dhe ndihma që kanë të bëjnë me pandeminë (ku përfshihen ndihma ushqimore, programe për strehimin, etj.) pa patur frikë që diçka e tillë do të ndikojë për keq në statusin e emigracionit.

Nëse keni paraqitur një aplikim apo peticion më ose pas datës 9 mars, 2021, nuk është e nevojshme të jepni të dhënat që kërkoheshin nga rregullorja e vitit 2019 mbi “barrën publike”. Më konkretisht, nuk nevojitet të plotësoni apo të paraqisni formularin I-944, Declaration of Self-Sufficiency apo çfarëdolloj dëshmije apo dokumentacioni që kërkohet nga ai formular.

Nëse keni marrë kërkesë për të paraqitur dokumenta të tjerë provë (RFE) apo njoftim që kanë ndërmend mos t’jua aprovojnë çështjen (NOID), nuk është e nevojshme më të paraqisni të dhëna që i kërkonte rregullorja e barrës publike, përfshirë këtu dhe formularin I-944. Megjithatë, duhet t’i jepni përgjigje kërkesave të tjera të RFE-së apo NOID-së që kanë të bëjnë me aspekte të tjera të mundësisë për t’u kualifikuar për statusin apo ndonjë përfitim tjetër që i keni kërkuar emigracionit.

Nëse aplikimi juaj është hedhur poshtë përpara 9 marsit, 2021, USCIS-i nuk do ta rishikojë vendimin e marrë përpara anullimit më 9 mars, 2021 të rregullores së lartpërmenduar. Megjithatë, nëse kualifikoheni, mund të paraqisni një aplikim apo peticion të ri.

Nëse keni paraqitur formularin I-944 së bashku me formularin I-485 për ndreqje statusi (green card) dhe për to nuk është marrë ende vendim, USCIS-i nuk do të merret me të dhënat që kanë të bëjnë me rregullin e barrës publike të vitit 2019, përfshirë këtu dhe të dhënat e paraqitura në formularin I-944. Nëse USCIS-it do t’i nevojiten të dhëna shtesë për të vendosur nëse përbëni ose jo një barrë publike dhe si të tillë nëse mund të lejoheni ose jo në SHBA, atëherë do t’ju dërgojë një letër përmes së cilës do t’ju kërkojë ato të dhëna.  

Nevojitet ende të paraqisni së bashku me aplikimet e tjera të emigracionit, përfshirë dhe atë për green card, një Affidavit of Suppport (deklarata e noterizuar e garancisë për mbështetje financiare). Disa emigrantë të caktuar duhet të paraqesin një Affidavit of Support (Formulari I-864 ose Formulari I-864EZ) të plotësuar nga një sponsor, që t’i përmbushë siç duhet kriteret në mënyrë që aplikimi të mos ju hidhet poshtë.  

Në momentin që hedh firmën në formularin në fjalë, sponsori hyn në një marrëveshje me qeverinë e SHBA-së. Ai ose ajo bie dakort për sa më poshtë:

  • T’i sigurojë mbështetje ekonomike emigrantit për të cilin po bëhet garant, duke paraqitur një të ardhur vjetore jo më të vogël se 125% të nivelit të varfërisë në shkallë federale gjatë të gjithë periudhës që detyrimi për të ofruar mbështetjen e lartpërmendur është në fuqi; 
  • Të përgjigjet për çdo detyrim rimbursimi të shkaktuar nga fakti që emigranti i sponsorizuar ka përfituar ndihma publike për shkak të të ardhurave të ulëta, gjatë periudhës që detyrimi nga ana e sponsorit për të ofruar mbështetje është në fuqi; 
  • Që qeveria e SHBA-së mund t’i konsiderojë të ardhurat dhe pasuritë e sponsorit në dispozicion për t’i ardhur në ndihmë emigrantit kur ky i fundit aplikon për përfitime të caktuar publike. 

Nëse nuk paraqitet asnjë Affidavit of Support, ose kur të dhënat financiare (të ardhurat, pasuria) të paraqitura aty nga sponsori janë të pamjaftueshme, atëherë emigranti në fjalë nuk do të lejohet “të hyjë” në SHBA për shkak të mundësisë për t’u kthyer në “barrë publike” dhe USCIS-i do t’ia hedhë poshtë aplikimin për green card apo për vizë emigruese.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]