Emigracion: Ja pse nuk është marrë ende vendim për çështjen tuaj

Vonesat nga USCIS-i vazhdojnë të mbeten në nivele krize

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kiran Both

Pse nuk është marrë ende vendim për çështjen tuaj? 

Në mbarë vendin, miliona familje, biznese dhe persona që ashtu si dhe ju kanë paraqitur kërkesa të ndryshme emigracioni, po presin gjatë që Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS-i) të procesojë dhe aprovojë peticionet dhe aplikimet përkatëse. Bazuar në të dhënat e viteve të kaluara, të paraqitura nga USCIS-i, gjatë vitit fiskal 2014 nevojiteshin rreth pesë muaj për të procesuar një çështje të zakonshme emigracioni. Për çështje të ngjashme, gjatë vitit fiskal 2020, janë dashur më shumë se nëntë muaj. Këto muaj vonesash shtesë kanë sjellë ndërprerje të aktiviteteve të biznesit, kanë mbajtur familjet të ndara si dhe kanë dëmtuar jetë njerëzish. 

Kush është prekur nga vonesat?

Cilido që ka paraqitur një aplikim apo peticion pranë USCIS-it është prekur nga këto vonesa. Të gjithë ju që keni bërë kërkesë për viza emigruese me bazë bashkimin familjar apo punësimin, kërkesë për natyralizim, dokumenta udhëtimi apo leje për të punuar, vazhdoni të përjetoni vonesa. Në periudhën mes vitit fiskal 2017 dhe atij 2019, koha që i duhej USCIS-it për të procesuar të gjithë llojet e  peticioneve dhe formularëve pësoi një rritje prej 37%. Kjo rritje e ndjeshme ndodhi pavarësisht se që nga fundi i vitit fiskal 2017 deri në vitin fiskal 2019 numri i çështjeve që i kishin shkuar për shqyrtim USCIS-it pësoi një rënie prej dhjetë përqind. Gjatë situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19-ës, koha për procesimin e çështjeve nga USCIS-i, nga viti fiskal 2019 në vitin fiskal 2021, ka vazhduar të shënojë rritje.

Koha për procesimin e formularëve nga më të zakonshmit ilustron mjaft mirë se sa është rënduar situata: 

NGA VITI FISKAL 2017 Në VITIN FISKAL 2021

  • Koha për procesimin e të gjithë aplikimeve I-539 për ndryshim apo zgjatje të kohës së statusit është rritur afërsisht nga 2.8 në 9.8 muaj, një rritje kjo prej 250%.
  • Koha e procesimit të aplikimeve për ndreqje statusi me bazë bashkimin familjar (formulari I-485) është rritur nga 7.9 muaj në 13.2 muaj, një rritje kjo prej 67%.
  • Koha e procesimit të aplikimeve për natyralizim (formulari N-400) është rritur nga 7.9 muaj në gati një vit, 11.6 muaj, një rritje kjo prej 47 %.

Pse po zgjat kaq shumë procesimi i çështjeve?

Egzistojnë shumë faktorë që bëhen shkak për ngadalësimet e lartpërmendura, mes të cilëve procesimet joefikase, personel i pamjaftueshëm si dhe ndryshimet në rregullore të shkaktuara nga pandemia e Covid-19-ës. Gjatë periudhës së administratës së mëparshme në pushtet, USCIS-i vuri në zbatim rregullore dhe politika të reja të hartuara me synim kufizimin e emigracionit të ligjshëm si dhe vonimin e procesimit të çështjeve. Për shembull, një nga rregullat kërkonte që zyrtarët e USCIS-it të kryenin një rishikim të dytë të vendimeve të mëparshme, duke shtuar kështu për çdo çështje, një sasi të panevojshme pune. Një shembull tjetër ishte imponimi i kërkesës për marrjen e shenjave të gishtërinjve të personave të caktuar që kishin paraqitur formularin I-539. Pavarësisht se administrata aktuale në pushtet ka bërë disa ndryshime të rregullave – përfshirë dhe të atyre që sapopërmendëm – të cilat kanë ndihmuar, ngadalësimet kanë vazhduar për shkak të pandemisë së Covid-19-ës. Për shembull, nga marsi dhe gjatë korrikut të vitit 2020, USCIS-i i mbylli zyrat për intervista dhe marrje të të dhënave biometrike, gjë që solli akumulim të takimeve të prapambetura për shenjat e gishtërinjve. Për shumë aplikime si p.sh. ato për autorizimin për të punuar  (formulari I-765, Employment Authorization Documents) nuk mund të merret vendim pa u marrë më parë të dhënat biometrike.

Çfarë mund të bëj?

Sigurohuni që avokati juaj ka të dhënat tuaja më të fundit që të mund t’ju kontaktojë. Puno me avokatin që të mund t’i dërgosh aplikimet dhe peticionet përkatëse sa më herët që të jetë e mundur, gjithnjë brenda kornizës kohore që parashikon ligji, sidomos në rastet kur nuk ka mundësi për proçese të përshpejtuara. Shumë kërkesa për rinovime mund të paraqiten deri në 180 ditë përpara skadimit të afatit. Merreni të mirëqenë që USCIS-it do t’i duhet më shumë kohë sesa do të dëshironit ju që t’i duhej, për të procesuar aplikimet: kjo pavarësisht nga aplikimi që po paraqisni. Avokati mund t’ju udhëzojë dhe t’ju ndihmojë t’i planifikoni gjërat për t’i dalë përpara vonesave. Nganjëherë, alternativa e vetme është të presësh që të veprojë qeveria. Në raste të tjera, mund të përdoren taktika që i dalin përpara vonesave:

  • Paraqitet një peticion apo aplikim për ta ruajtur të sigurtë statusin në SHBA.  
  • Në rast se kualifikoheni apo kur është e mundur, i bëhet kërkesë USCIS-it të përshpejtojë procesimin e çështjes suaj dhe paguani që çështja në fjalë të kalojë nëpër një proçes të përshpejtuar.  
  • Kontaktohet zyrën e kongresmenit që ju përfaqëson dhe i kërkoni ndihmë. 
  • Ngrihet padi për ta detyruar USCIS-in të ndërmarrë një veprim për çështjen tuaj.

Falenderojmë Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit – American Immigration Lawyers Association (AILA) – për të dhënat statistikore dhe këshillat e ofruara.

Comment

*