Emigrimi në SHBA nëpërmjet biznesit

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Lexuesit tanë na pyesin shpesh nëse mund të fitojnë status të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet biznesit. Përgjigjja është PO. Ky vend ofron mundësi të mëdha për këdo, por sidomos për ata që merren me biznes. Shtetet e Bashkuara kanë ekonominë më të fuqishme në botë dhe diçka e tillë i frymëzon njerëzit që të vijnë, të ndërtojnë biznesin e tyre dhe të bëjnë përpara. Demokracia në vend dhe tregu i lirë janë joshës për një sipërmarrës. Të hapësh një biznes në SHBA është më lehtë se në shumë vende të tjera të botës. Nuk ka nevojë të jesh nënshtetas amerikan madje as të banosh në SHBA që të mund të krijosh kompaninë tënde. Ka programe të ndryshme për marrje vizash dhe disa prej tyre mund të çojnë deri në marrjen e green card-ës.

Vizat Е-2 

Ky program vizash, në dallim nga programet e tjera të vizave të biznesit, nuk kërkon që të bëhet ndonjë investim i madh. Kërkesa kyç është që duhet të jesh nënshtetas i një vendi që është pjesë e një traktat marrëveshjeje (U.S. Treaty Agreement) me Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria është një vend I tillë anëtar. Ka afërsisht 80 vende anëtare të traktatit. Sipas programit të vizave E-2, duhet të investoni 100,000 dollarë në biznesin që po krijoni në SHBA. Ky program vize i lejon edhe familjes suaj të vijë në SHBA me ju. Viza E-2 jepet zakonisht për 5 vjet.

Që të kualifikohet për vizë E-2, investitori me bazë Traktatin duhet: 

  • Të jetë nënshtetas i një vendi i cili ka traktate tregtie dhe lundrimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • Të ketë investuar, ose të jetë përfshirë në mënyrë aktive në proçesin e investimit, një shumë të konsiderueshme kapitali në një sipërmarrje bona fide (pra jo të kotë apo spekulative) në Shtetet e Bashkuara; dhe 
  • Të kërkojë të hyjë në Shtetet e Bashkuara vetëm me qëllimin që të zhvillojë dhe drejtojë një ndërmarrje investuese. Diçka e tillë përcaktohet pasi investitori ka treguar se ka të paktën 50% të pronësisë së ndërmarrjes ose që zotëron kontrollin operacional përmes një pozicioni menaxherial ose mënyre tjetër korporative. 

Investimi është hedhja e kapitalit, ku përfshihen fondet dhe/ose asetet e tjera, nga investitori me bazë traktatin, dhe investimi duhet të jetë i rrezikuar në kuptimin tregtar të fjalës dhe të ketë si objektiv nxjerrjen e një fitimi. Kapitali duhet t’i nënshtrohet humbjes së pjesshme ose të plotë, nëse investimi dështon. Investitori duhet të tregojë se fondet nuk janë siguruar, direkt ose jo, nga ndonjë aktivitet kriminal.

Një sasi e konsiderueshme kapitali nënkupton: E konsiderueshme në lidhje me koston totale të blerjes së një ndërmarrjeje egzistuese ose krijimit të një të reje; E mjaftueshme për të siguruar angazhimin financiar të investitorit në fjalë drejt një funksionimi të suksesshëm të ndërmarrjes; dhe e një rëndësie të tillë që përballon  gjasat që investitori në fjalë të zhvillojë dhe të drejtojë me sukses ndërmarrjen. Sa më e ulët të jetë kostoja e ndërmarrjes, aq më i madh, proporcionalisht, duhet të jetë investimi që të mund të shihet si investim i një madhësie të konsiderueshme.

Termi ndërmarrje bona fide i referohet një ndërmarrjeje tregtare ose sipërmarrëse që është e vërtetë, pra jo spekulative, aktive dhe operative dhe ofron shërbime ose prodhon mallra me qëllim fitimi. Ajo duhet të përmbushë kërkesat ligjore në fuqi për të bërë biznes brenda juridiksionit përkatës. Sipërmarrja investuese nuk duhet të jetë “marxhinale”. Me sipërmarrje marxhinale nënkuptohet ajo sipërmarrje që nuk ka fuqi as aktualisht dhe as në të ardhmen për të nxjerrë të ardhura të mjaftueshme që të mund t’i sigurojnë investitorit me bazë traktatin si dhe familjes së tij/të saj një jetesë minimale. Në varësi të fakteve, një sipërmarrje e re mund të mos konsiderohet marxhinale edhe nëse nuk ka kapacitet aktual për të nxjerrë një të ardhur të tillë. Megjithatë, në të tilla raste, sipërmarrja duhet të ketë kapacitet që të nxjerrë një të ardhur të tillë brenda pesë viteve duke filluar nga data që nisi klasifikimi si E-2 i investitorit me bazë traktatin. 

Viza L-1

Viza L-1 është një vizë joemigruese për drejtues, menaxherë kompanish shumëkombëshe ose për njerëz me njohuri të specializuara. Ajo vizë i lejon gjithashtu një kompanie të huaj të shtrihet në SHBA. Kompanija mund të dërgojë një drejtues apo një menaxher në Shtetet e Bashkuara për të hapur një filial aty. Ky program emigrimi me bazë biznesin duhet të kënaqë disa kritere. Si aplikant, ju jepet mundësia të sillni në SHBA bashkëshorten/in si dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç. Viza L-1 mund të shtyhet deri në shtatë vjet.  

Viza ЕВ-5

Ky është programi i emigrimit në SHBA nëpërmjet investimit, por shuma e investimit në këtë rast është e madhe: më shumë se 1 milion dollarë në biznesin tuaj. Kërkesa tjetër është krijimi i 10 vendeve të përhershme të punës me kohë të plotë për punëtorët amerikanë. Përfitimi kryesor nga ky program vize është që përveç green card-ës, jo vetëm ju, por edhe familja juaj e ngushtë (bashkëshorti/ja juaj dhe fëmijët tuaj nën 21 vjeç) mund të vijnë me ju në SHBA.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]