Enea Lapa, shqiptari kampion i botës në sportin e arteve marciale

Nga Edi Vasi

Enea Lapa, kampion i botës në sportin e arteve marciale Jiu Jitsu, “Pemën që e mbolli në Sarandë dhe frutet e punës i korri ne Amerikë”, duke valëvitur flamurin kuq e zi.

Enea është fitues i shumë aktiviteteve në SHBA, ku është shpallur disa herë kampion Brazillian Jiu Jitsu. Gjatë vitit 2020 Enea ka marrë shumë medalje, ka marrë pjesë në dy kampionate të Amerikës dhe atë botëror. Ai gjithashtu ka marrë një medalje ari, dy medalje të argjendta dhe katër medalje bronzi.

Enea, shkollën e mesme e mbaroi në gjimnazin “Hasan Tahsini” Sarandë, është krenari për të gjithë ne Hasan Tahsinasit, jam krenar dhe unë si ish mësues i tij, krenari është dhe për nxënësit e kësaj shkolle, që për ta të shërbejë si sportisti model, i vullnetshëm, sfidant dhe ti mësojë ata që kur njeriu i vendos vetes një objektiv e arrin atë.

Gjithashtu është një nder i madh dhe për qytetin tonë, për klubin sportiv “Butrinti” dhe qeverinë vendore që një djalë Sarandiot ngre flamurin kombëtar Shqiptar në shtetin më demokratik në botë; në Amerikë. Kjo është një fitore e madhe dhe një vlerësim i veçantë që një sportist nga Saranda të dali kampion bote në sportin e arteve marciale Jiu Jitsu.

Qyteti ynë ka nxjerrë sportista talentë, kampionë e rekordmenë në disiplina të ndryshme të sporteve, si në futboll, volejboll, not, shah të cilët kërkojnë një vlerësim dhe mbështetje morale dhe financiare.

Por rasti i Eneas është i veçantë… nuk doli kampion vendi ose i Ballkanit, nuk doli kampion Europe por kampion bote që do të thotë se ai kapi majat më të larta ne këtë sport. Prandaj duhet mbështetur e vlerësuar Enea nga të gjithë.

Intervistuan e shkruan mediat më prestigjoze kombëtare, të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe mediat tona lokale mbi arritjet e suksesit të Eneas në sport.

Para se të largohej Enea nga vendi i tij, për një jetë më të mirë, ai mbolli pemën e tij në mes të qytetit, për të lënë një mesazh… që vendin e vendlindjen e tij e do shumë. Që kur të kthehet një ditë ta gjejë të rritur e të lulëzuar bashkë me Sarandën tonë të bukur.
Bravo Enea… Suksese. Respekte.

Comment

*