Energji me linjë nënujore midis Shqipërisë dhe Italisë

Përurohet Sistemi i Kontrollit – Kryeministri Berisha thotë se në sistemin energjetik në vitet 2009-2013 janë investuar 730 milionë euro

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria synon të punojë për ndërtimin e një linje të rëndësishme të energjisë elektrike që do të lidhë nën det Shqipërinë me Italinë. Zoti Berisha e bëri deklaratën për një “linjë nënujore Itali-Shqipëri për tregun energjetik” gjatë ceremonisë së përurimit të Sistemit të ri të Kontrollit “OST SCADA/EMS” në fshatin Kashar, rreth 15 kilometra larg Tiranës. Ky investim kapi vlerën e 17 milionë eurove. Zoti Berisha Kreu i qeverisë në prani të ambasadorit italian Masimo Gajani njoftoi mbi “punën e madhe”, siç e quajti që “është bërë me investimet mbi projektet për energjinë elektrike”.
“Nga gumëzhimat e gjeneratorëve u bëmë eksportues të energjisë. Se atyre u interesonte ndërprerja masive e energjisë, duke iu paraqitur qytetarëve, mashtrimin se kaq mban rrjeti dhe se nuk mund të importojnë dot më shumë. Në të 4 anët e vendit gumëzhinin gjeneratorë dhe qytete të tëra vendoseshin në agoni energjetike. Nëse analizoni kohën, e cila është gjithnjë e më e çmuar, ndikojnë faktorë të tjerë, por ka një faktor që kohën pothuaj e ndalon, pothuaj e zeron, dhe ky faktor është vullneti politik. Përgëzoj punonjësit e tërë sistemit energjetik, ju e patë qartë se vullneti politik është që qytetarëve shqiptarë të mos u mungojë asnjë minutë energjia elektrike, ne vendosëm një standard bazë që duhet të kenë qytetarët e një vendi, kjo politikë u konsolidua”-tha kryeministri.
Sipas tij vetëm katër vitet e fundit në sistemin e energjetikës shqiptare janë investuar 730 milionë euro, duke apeluar punonjësit që të përqendrohen në rritjen e efiçencës së përdorimit të energjisë. “Ne vendosëm një standard bazë, që aspiron zhvillimin, në këtë mënyrë gjatë këtyre viteve kjo politikë u konsolidua, vëetëm, këto vite këto 4 vite, në sistemin eneregjitik shqiptar, sektori publik, ka investuar 730 mln euro”. Më tej Berisha tha se lidhur me energjinë, qeveria gjithmonë ka marrë në mbrojtje konsumatorin: “Dikush mund të më thotë se dhe rritja e çmimit të energjisë është normale jo nuk është normale. Ka vende që në 30 vite kanë pasur rritje progresive ekonomikë por kanë pasur vetëm 30% të rritjes së cmimit të enegjisë, por janë përqëndruar tek eficensa e përdorimit të burimeve”.
Berisha shtoi gjithashtu se energjia është fokusi kryesor i qeverisë dhe në këtë drejtim u ndal në projektet e hidrocentraleve, duke thënë se çdo burim që mund të prodhojë energji elektrike të përdoret në këtë drejtim. Kryeministri theksoi se së shpejti do realizohet edhe eksporti i energjisë në rajon si një vend superenergjetik.