Engel: Serbia të respektojë viktimat e së kaluarës

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, reagoi ndaj njoftimeve se Partia Përparimtare Serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka hapur një zyrë të saj në vendin ku gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një kamp përqendrimi.

Veprimtarë të të drejtave të njeriut në Serbi thanë se zona e njohur si “Staro Sajmishte” në Beograd, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte kamp përqendrimi ku ishin vrarë hebrenj, serb dhe romë.

“Vendimi i partisë politike të presidentit Vuçiç, për të hapur një zyrë në zonën ku ishte një kamp përqendrimi, është i turpshëm, por i përshtatet një modeli shqetësues të mënyrës se si qeveria e tij e sheh drejtësinë për krimet e së kaluarës. Zona do të duhej të shndërrohej në një vend përkujtimor shumë kohë më parë, por është lënë pas dore. Viktimat e asaj periudhe të errët meritojnë që rrëfimet e tyre të tregohen dhe vuajtjet e tyre të kuptohen”.

Besohet se 10 mijë serb, 7 mijë hebrenj dhe të paktën 60 romë kanë vdekur ne atë kamp gjatë viteve 1941 dhe 1942. Kampi drejtohej nga nazistët gjermanë, por arrestimet e hebrenjve ishin kryer nga policia serbe.

“Në të njëjtën mënyrë, qeveria serbe nuk ka bërë as për së afërmi sa duhet për të ofruar drejtësi për viktimat e tragjedive të mëvonshme, përfshirë krimet e luftërave të viteve të 90-ta. Çka është më me rëndësi, qeveria e Vuçiçit, nuk i ka vënë para drejtësisë vrasësit e vëllezërve Bytyçi, amerikanëve që u vranë nga policia serbe pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ata nuk i kanë ndjekur as ata që vranë, transportuan në Serbi dhe i varrosën në varreza masive 941 qytetarë të Kosovës, siç dëshmohet nga Qendra për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd”, thekson ligjvënësi Engel.

Në reagimin e tij thuhet se “këto lloj krimesh lënë njolla të errëta në historitë e vendeve dhe kulturave. Shërimi dhe ecja përpara kërkon një njohje të sinqertë të asaj që ka ndodhur dhe drejtësi për viktimat. Ne presim që qeveritë të hapin rrugë, por përsëri, udhëheqësit e Serbisë kanë lënë pas dore këtë detyrim. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duhet t’i kërkojnë Serbisë të njëjtat standarde si çdo vendi tjetër, duke kërkuar respekt për zonat e shenjta ku ndodhën krime të tilla të rënda dhe drejtësi për viktimat”, thekson zoti Engel./VOA