Ermal Meta do të mbajë në Shqipëri koncertin e tij të parë pas pandemisë

Tiranë, 25 qershor 2021 – Këngëtari shqiptar me famë ndërkombëtare në Itali, Ermal Meta, ka zgjedhur që koncertin e tij të parë pas pandemisë ta mbajë në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, më 26 korrik.

“Koncerti është në datën 26 korrik. Është koncerti i parë që do bëj për këtë vit, por edhe pas pandemisë. Do ta bëj në stadiumin e Tiranës, me ndihmën tuaj dhe me falënderime nga ana ime”, ka thëmë ai, gjatë një bisede online me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe me ambasadorin  e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci. 

“Eksperienca ime me koncertet në Shqipëri ka qenë perfekte. E di që çdo gjë është në duar të sigurta, kështu që mezi pres”, është shprehur Ermal Meta.

“Do jetë koncerti i parë në stadium. Jam shumë i lumtur që e hapim stinën e koncerteve”, ka thënë Veliaj.

Ai e ka quajtur Ermal Metën një histori suksesi të shqiptarëve që e lanë vendin dhe shkuan në Itali, në kërkim të një jete  më të mirë.

“Kanë kaluar plot 30 vjet nga eksodi, nga momenti ku shumë shqiptarë e lanë vendin e tyre për të filluar një jetë të re në Itali, në kushte jashtëzakonisht të vështira, disa me anije, disa me gomone dhe ti je një histori suksesi i atij eksodi”,u shpreh Veliaj.

Ambasadori Bucci tha se nisja e turit të koncerteve të Ermal Metës i ka surprizuar jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët, të cilët e kanë mirëpritur lajmin.

“Këtu ‘u çmendën’ të gjithë, italianë e shqiptarë. Të gjithë mezi po e presim”, u shpreh diplomati italian.

(r.m.)

Comment

*