Escobar arrin në vizitë në Bosnjë e Hercegovinë

Sarajevë, 7 nëntor 2021 – Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të arrijë sot (7 nëntor) në Sarajevë.

Escobar do të ketë takime të veçanta me tre anëtarët e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Kryesuesin Zhelko Komshiq dhe anëtarët Shefik Xhaferoviq dhe Milorad Dodik.  

Vizita realizohet në kohën që Republika Serbe kërcënohet me shkëputje nga Federata e Bosnjës e Hercegovinës.

Në prag të vizitës në Bosnjë e Hercegovinë, Escobar ka thënë se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar dhe i përkushtuar “për paqe dhe siguri të njerëzve në rajon”.

Escobar ka shprehur mbështetjen e Uashingtonit për Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila i kishte dhënë fund luftës  në Bosnjë e Hercegovinë. Ai ka thënë se cilido motiv që e dëmton Marrëveshjen e Dejtonit është “shumë destabilizues për rajonin”.

“Ne jemi të përkushtuar që të mos ketë luftë”, ka theksuar Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar edhe më parë se Republika Serbe nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, është kërcënuar me largim të Republikës Serbe nga institucionet shtetërore, siç janë: autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe ushtria boshnjake.

Ditë më pare, Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka paralajmëruar se ky vend përballet me rrezikun e shpërbërjes.

Në një raport për Kombet e Bashkuara, Schmidt ka kërkuar shtim të forcave paqeruajtëse në Bosnjë e Herecegovinë.

“Nëse separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re”, ka thënë Schmidt në  një raport për Kombet e Bashkuara.

Në Bosnjë aktualisht gjendet një forcë paqeruajtëse e Bashkimit Evropian, EUROFOR, me rreth 700 trupa. NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë.

Përfaqësuesit e Republikës Serbe janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Serbe ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

(r.m.)

Comment

*