Escobar: Askush nuk kërkon “kompromis” që cenon sovranitetin apo integritetin territorial të Kosovës

Prishtinë, 27 janar 2022 – I dërguari i Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar në kuadër të dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel.

“Vazhdojmë t’u bëjmë thirrje, si Kosovës ashtu edhe Serbisë që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet dhe zotimet e dhëna në Bruksel. Një gjë e tillë kërkon fleksibilitet, kreativitet dhe në disa raste, kompromis. Presim dhe shpresojmë që krye-negociatorët dhe udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë të angazhohen me njëri-tjetin me sinqeritet, hapur dhe në frymën e kompromisit”, ka thënë Escobar, në një intervistë për portalin Reporteri.net.

Escobar ka thënë se Kosova është zotuar se do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ka shtuar se është në dorën e Qeverisë së Kosovës të zgjedhë modelin më të përshtatshëm të Asociacionit, i cili nuk do të ketë pushtet ekzekutiv.

“Presim që, si Kosova ashtu edhe Serbia, t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion dhe as cilat duhet të jenë kompetencat e tij. Ky është vendim sovran që duhet ta marrë Qeveria e Kosovës. Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë locale, pa një nivel tjetër të qeverisë ose të pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, ka thënë ai.

Escobar ka theksuar edhe me këtë rast se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës e Serbisë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke, pa cenuar në asnjë mënyrë sovraniteton dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Më lejoni të jem i qartë: Askush nuk po i kërkon Kosovës që të bëjë ‘kompromis’ për sovranitetin apo integritetin e saj territorial. Këto çështje janë vendosur në mënyrë të qartë. Megjithëkëtë, është me rëndësi të përmbyllen këto negociata me marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim (të marrëdhënieve) të përqendruar në njohjen e ndërsjellë”, ka theksuar ai.

Gabriel Escobar ka kornfirmuar se, bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian, do të qëndrojë javën e ardhshme në Prishtinë dhe në Beograd. Ai ka  thënë se në Prishtinë, ku do të qëndrojë nga 31 janari deri më 2 shkurt, do të takohet me udhëheqësit e institucioneve shtetërore dhe me liderët politike të Kosovës.

(r.m.)