Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk mund të ketë sukses pa të gjitha vendet e rajonit

Beograd / Tiranë / Prishtinë, 24 nëntor 2021 – Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses, nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin serb me temën “Ballkani i Hapur – Rruga drejt qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe përparimit në rajon”.

Nismës së hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, që synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Zoti Escobar që u lidh virtualisht në debat, tha se është me rëndësi që “të tri vednet që kanë hedhur nismën të jenë të hapura dhe të bisedojnë me tre partnerët tjerë që janë të rezervuar”.

Ai tha po ashtu se në nismat rajonale duhet barazi dhe të mos ketë diskriminim mbi baza etnike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin nismat rajonale, nëse ato nuk pengojnë integrimet evropiane.

“Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të përmbushni standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha zoti Escobar.

Ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey tha se “është koha që të hapen mundësitë ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre evropiane’.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili u lidh virtualisht në debat, tha se nuk u takon anëtarëve të nismës të bindin këdo qoftë që ‘Ballkani i Hapur’ është vërtet i hapur.

Ai u shpreh i pakënaqur me faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë… Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë”, tha kryeministri Rama.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave me BE-në për anëtarësim, por aktualisht janë peng i mospajtimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kryeministri Rama tha se nisma Ballkani i Hapur mund të ndihmojë edhe në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse “problemet mund të trajtohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë”.

Meta: Si mund t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet dhe glorifikohet fantazma e Milosheviçit

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha të mërkurën në Prishtinë se ka rezerva ndaj nismës Ballkani i Hapur.

“Rezerva e parë që e kam për këtë nismë është parimore; nuk mund të ofrohet përmes gjuhës imponuese, përmes politikës përjashtuese, përmes faktit të kryer, sepse bashkëpunimi i qëndrueshëm është vet ajo baza e reciprocitetit dhe barazisë të të gjitha palëve. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë dhe ato kurrë nuk kanë të bëjnë me përjashtimin me faktin e kryer apo me përpjekje të lidershipit të çdo vendi në këtë rajon”, tha ai.

Presidenti Meta tha se rezerva tjetër e tij ka të bëjë me shqetësimin për “rivalizmin e procesit të Berlinit, i cili është gjithëpërfshirës, shoqërohet gjithashtu me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE-së, ka ngritur mekanizma monitorues e zbatues dhe ka dhënë rezultate konkrete. Përkundër kësaj Ballkani i Hapur e parcializon bashkëpunimin vetëm me tre vende dhe e zhvendos nga ombrella evropiane duke mos gëzuar asnjë mbështetje financiare”.

Sipas tij me këtë nismë “duket se po i jepet Serbisë një koncesion kundrejt një sjelljeje më të balancuar në rajon”.

“Si mundemi t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet dhe glorifikohet fantazma e (Slobodan) Milosheviçit. Qëllimet i kishte të mira por nuk i arriti dot, (citoi ai një deklarate të mëhershme të presidentit aktual serb, Aleksandër Vuçiç rreth ish presidentit serb). Çfarë të arrinte? Të shfaroste gjithë popullsinë shqiptare të Kosovës”?

(Zëri i Amerikës)