Escobar e Lajçak nisin sot vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi

Prishtinë, 31 janar 2022 – I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisin më 31 janar vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak pritet të takohen me lidershipin politik, si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës.

Kosova dhe Serbia vazhdimisht ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për mosgatishmëri për dialog, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje palëve që të angazhohen në këtë proces, që synim ka arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se duhet gatishmëri më e madhe edhe nga Serbia për vazhdimin e dialogut.

“Duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia. Se kur zhvillohen takimet në Bruksel, nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time”, ka deklaruar Kurti më 29 dhjetor, 2021.

Më herët, ai ka thënë se është e pritshme që marrëveshja të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 7 dhjetor se Serbia e dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, porse Prishtina është ajo, e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.

Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviq, ka thënë më 30 janar se “fajtor” për moszhvillimin e rundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prejse Kurti ka nisur udhëheqësinë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos”, ka thënë Sellakoviq.

Që nga koha kur Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës në mars të vitit 2021, ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Që të dyja takimet kanë qenë të pasuksesshme dhe kanë dëshmuar se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.

Pikërisht kjo i ka detyruar zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.

Serbia insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë që është kundërshtuar nga Kosova.

Për Prishtinën zyrtare, çështja e personave të zhdukur e lëvizja e lirë janë në mesin e prioriteteve.

Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.

Lidhur me Asociacionin, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.

Ende nuk është bërë e ditur se cilat janë modelet për Asociacionin.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011.

Ndonëse, fillimisht, është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të kenë dialog teknik, të cilin do ta udhëheqin grupet punuese të të dyja vendeve, në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik.

Marrëveshja e parë, që është arritur në vitin 2011, ka qenë për librat e amzës dhe më pas është nënshkruar edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.

Kanë pasuar edhe marrëveshje të tjera, si ajo për vulat doganore, për pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufijve, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomunikacionin dhe vizitat zyrtare, për energjetikën, për gjyqësorin etj. Por, këto marrëveshje nuk janë zbatuar të gjitha në terren.

(REL)