Escobar: Të ulen menjëherë tensionet mes Kosovës e Serbisë

Bruksel, 29 shtator 2021 – Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, i cili është i dërguar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po i mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan tha se urgjentisht duhet të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe palët duhet t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Bislimi e Petkoviq kanë shkuar në Bruksel pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Ata do të takohen ndarazi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Nga këto takime varet nëse do të ketë ose jo takim trepalësh.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës janë ngritur që prej 10 ditësh. Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës nisi të zbatojë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve. Në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bsërnjakë jane dërguar njësitë speciale të policisë së Kosovës për siguri të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, si edhe për mbrojtjen e integrimetit dhe sovranitetit të vendit.

Grupe qytetarësh serbë, të nxitur e të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kanë bllokuar këto dy vendkalime kufitare duke vënë barrikada në rrugët që shpien tek vendkalimet.

Serbia e ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe ka grumbulluar forca shtesë të ushtrisë e policisë nëzonën me kufirin me Kosovën, me justifikimin se serbët në Kosovë janë të kërcënuar.

Prej të martës në zonën pranë vendkalimeve kufitare janë shtuar patrullimet e pjesëtarëve të KFOR-it.

(REL)

Comment

*