Është gjetur një pjesë e parave të vjedhura nga Natali Veliaj

Prishtinë, 13 qershor 2013 – Prokuroria e EULEX-it thotë se ka siguruar prova se Natali Veliaj, e dyshuara kryesore për “zhdukjen” e 1.4 milionë eurove të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kishte në posedim këto para. Sipas prokuroorisë, llogaritë bankare të saj tregojnë se ajo ka tërhequr  648 000 euro para të gatshme, kurse pjesën tjetër të parave e ka transferuar në disa llogari të tjera bankare, në Kosovë. Shuma prej 669. 000 eurosh ka shkuar në kontot bankare të kompanive dhe të shtatë të dyshuarve të fundit: Nazmi Thaqi, Adriatik Thaqi, Ergyn Dogani, Jakup Blakqori, Hashim Shala, Imer Fazlia dhe Sefedin Shala. Veliaj ka transferuar të holla edhe për kompaninë “FIMEX’, kompani me të cilën ajo dhe Fisnik Blakaj janë të lidhur me Betim Blakajn.

Më 4 qershor 2013, prokurorja e EULEX-it, Nina Grande, ka vendosur t’i zgjerojë hetimet për të përfshirë akuza të reja kundër Natalie Veliajt, Fisnik dhe Betim Blakajt, si dhe për të përfshirë shtatë të pandehurit e rinj. Këtë propozim prokurorja e EULEX-it ia ka dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është mbajtur edhe një seancë dëgjimore.

Veliaj dyshiohet se paratë që duhet t’ia transferonte kompanisë austriake OeSD është përpjekur t’i pastronte nëpërmjet firmave ndërtimore e tregtare. Të dyshuarit janë justifikuar se kanë bërë shitblerje dhe huazime parash dhe jo shpëlarje parash të vjedhura.

Të gjithë dyshohen për krim të organizuar, pastrim parash, shmangie tatimi, mashtrim, vjedhje të rëndë, shpërdorim, falsifikim të dokumenteve dhe falsifikim të dokumenteve.

R.M.