Eufori pas fitores 1-0 në Norvegji, De Biazi kërkon kujdes

Suksesi në Oslo të premten e 22 marsit ishte më i rëndësishmi jashtë fushe në historinë e Kombëtares së Shqiptarëve

 

Denion Ndrenika

Norvegjia është kundërshtari me nivelin më të lartë në histori që ka arritur të mund jashtë fushës së saj Kombëtarja e Shqipërisë. Pas fitoreve me kundërshtarë poshtë nivelit të Shqipërisë, si Moldavia, Luksemburgu apo Kazakistani në ndeshje miqësore, goli i Hamdi Salihit i dha udhë gëzimit dhe haresë së shqiptarëve mbarë, por njëkohësisht rriti dukshëm euforinë e gjithkujt që sheh tashmë shanse që Kombëtarja e Shqiptarëve të shkojë për herë të parë në fazën finale të Kampionatit Botëror, përkatësisht në “Brazil 2014”.

Një ndeshje e luajtur me qetësi dhe në të vërtetë taktikisht mrekullueshëm, me shkas nga formimi i trajnerit Xhani de Biazi që vjen nga shkolla e lëvdueshme italiane. “Sigurisht që nuk e prisnim këtë fitore pasi ishte një ndeshje e vështirë, por shkuam atje të bindur për një rezultat pozitiv. Skuadra bëri një lojë të mirë dhe morëm tre pikë që na mbajnë ende shpresat gjallë për të shkuar në Brazil. Kjo fitore na shërben si për moralin, ashtu edhe për objektivin”-tha De Biazi.

Megjithatë, qartësisht shpresat ishin të dukshme dhe të padukshme për sëpaku 1 pikë në Oslo. Mirëpo, shumëkush e kishte “fjetur mendjen” se do të ishte vështirë shumë që Shqipëra ta arrinte “qiellin” në atë fushë të vështirë si nga emri, nga tradita, nga stili i papërshtatshëm i lojës dhe deri te gjendja e vetë terrenit të mbuluar nga akulli në ndërthurrjen e barit artificial me barin origjinal.

Të gjitha zërat flisnin për pamundësi fitoreje, pavarësisht shpresave. paskëtaj, i mbetej rruga e hapur De Biazit që të dëshmohej në ndeshjen më të rëndësishme jashtë fushës si përfaqësues italian që rezultatin e ka në plan të parë. Kjo ndodhi pasi De Biazi me plot meritë ia “theu akullin nën këmbë” norvegjezëve të fortë, por të paqartë dhe jashtë formës. Shqipëria në 5 raste ishte thuajse pranë golit që e gjeti vetëm një herë me ish-shënuesin e DC Junajtidit në MLS Ligën amerikane Hamdi Salihi, pjesëtar i Jingsu në Kinë prej disa javësh pas largimit nga Shtetet e Bashkuara.

“Golat i ka të rëndë, shpesh me vlerë 3-pikëshe. Hamdi Salihi ka ndihmuar Shqipërinë të fitojë 3 ndeshje me rrjetat e shënuara nga ai. Bëhet fjalë vetëm për ndeshje eleminatore, pra zyrtare. Që nga Luksemburgu në shtator të 2010-ës e deri tek Norvegjia e 22 marsit, sulmuesi mbetet i njëjti, i padukshëm, por vrasës atëherë kur duhet. Të kujton Gerd Mylerin për të cilin trajneri i tij, Shën, thoshte se e kishte lojtarin më të keq dhe më të mirë në skuadër”-komentonte televizioni “ABC Neës” në Tiranë.

“Kjo fitore,-tha presidenti i Federatës Shqiptarë te Futbollit, Armand Duka, -është për të gjithë shqiptarët, u takon sepse vjen në mënyrën më origjinale pasi hap rrugët e pretendimit tonë për t’u kualifikuar në finalet e Botërorit “Brazil 2014”. Me të gjithë bashkëkombasit që na duan e na mbështesin, më në fund kemi një ëndërr, jetojmë me shpresën reale dhe prekim atë që brezat e dëshiruan pa fund. Brazili megjithatë edhe gjeografikisht është larg”.

Kurse, kapiteni Cana tha se është ende shpejt për të menduar kualifikimin në grupin “E” të zonës europiane për në Brazil: “Kemi bërë një punë të shkëlqyer gjatë gjithë 90 minutave. U organizuam në mënyrën më të mirë dhe në fund e merituam fitoren. Mbi të gjitha më duhet të them se trajneri De Biasi kishte bërë një punë të shkëlqyer nga ana taktike”.

Vendosja në qendër të mbrojtjes e dyshes Mërgim Mavraj-Lorik Cana, në portë e Etrit Berishës dhe në mesfushë e debutuesit Migjen Basha, që të katërt nga Kosova, u pa se ishte themeli i ndërtimit të lojës nga italiani pragmatist. Basha u bë pjesë e ekipit ligjërisht vetëm tri ditë përpara ndeshjes, pasi FIFA ia njohu të drejtën pasi më parë kishte luajtur me 21-vjeçarët e Zvicrës, pa qenë nënshtetas i Shqipërisë. Ec e jakjet thuajse 2 vjeçare për të përfituar Bashën pengoheshin nga ai fakt, pasi nuk lejohet të ndërrosh Kombëtare kur ke luajtur me një përfaqësuese moshash të një vendi tjetër, pa pasur shtetësi të vendit që mendon të shkosh.

Loja e Bashës ishte çelës në mesfushë, sikundër edhe në ndeshjet e shkuara të Burim Kukelit të Zyrihut, i pafat pasi për 8 muaj është jashtë fushës pasi theu këmbën dhe i Alban Mehës së Paderbornit.

Këto ndryshime dhe afrime i dhanë dritë strategjisë së De Biazit në të gjitha ndeshjet, por tuneli mbetet ende i errët kur mendon se më 7 qershor tri pika kyçe nuk do të jenë kundër Norvegjisë në Tiranë pa ndëshkimeve me kartela. “Dhimbja” është e madhe dhe mundësitë për zëvendësim të trishta, pasi nuk do të luajnë kapiteni Lorik Cana me kartelë të verdhë, (Lacio, Seria A/Itali, mesfushori-mbrojtës Andi Lila me kartelë të kuqe, (PAS Janina, Liga 1/Greqi) dhe mesfushori sulmues Odise Roshi me të verdhë, (FSV Frankfurt, Bundesliga 2/Gjermani).

“Skuadra po përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që unë kam një problem tashmë për ndeshjen e kthimit me Norvegjinë pas rreth dy muajsh pasi më mungojnë lojtarë kryesorë si Cana, Lila dhe Roshi. Këto më shqetësojnë”-tha trajneri italian.

Megjithatë, de Biazi e kapërdiu këtë “gjëmë” sepse nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, përveçse të nisë që sot në miqësoren kundër Lituanisë (ora 20:00 në Tiranë), vëzhgimin e zëvendësuesve të mundshëm të tri mungesave. Shans i mirë për de Biazin është të provojë mesfushorin e mirë të Realit të Vajadolidit në Primera Division të Spanjës, Valdet Rama, gjithashtu nga Kosova. Rama u bë shtetas i Shqipërisë dhe hoqi dorë nga shtetësia e Kosovës, pasi nuk mund të mbante 3 sosh e për më tepër të lëshonte shtetësinë e Gjermanisë. Më shumë se gjithçka tjetër, rëndësi ka që numri i shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë po rritet në Kombëtare duke hedhur poshtë çdo diskutim se kinse ka pengesa të çfarëdolloj natyre për të veshur ngjyrat kuq e zi.

Për ndeshjen ndaj lituanezëve Debatik Curri i Gençlerbirligisë në Ligën e Parë të Turqisë, shihet si shans për ta zëvendësuar Canën, ndonëse vetë shqiptari nga Kosova e mendon të vështirë këtë detyrë.

Ndërsa, grupi “E” është “mbledhur lëmsh”, pasi edhe Zvicra që dukej “çoç” diçka më mirë se të tjerët, u ndal pa gola 0-0 në fushën e Qipros. Paskësaj, Zvicra megjithatë e udhëheq renditjen me 11 pikë duke u ndjekur nga Shqipëria dhe Islanda që fitoi në Slloveni 2-1 me nga 9 pikë, Norvegjia 7, Qipro 4 dhe Sllovenia 3 pikë. Problem për rrugën e Shqipërisë janë tri dneshje të forta jashtë fushës: Në Islandë, në Slloveni dhe në Qipro në fund, pasi të ketë luajtur të vetmen herë në Tiranë, pas 7 qershorit me Norvegjinë, me Zvicrën e 5 shqiptarëve të tjerë Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmeti dhe Blerim Xhemaili.

Në një pozitë të ngjashme me mendje kualifikimi Shqipëria ka qenë në eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 1986 në Meksikë. Atëherë fitorja vlente 2 pikë dhe jo 3 si sot. Shqipëria u mund 1-3 në Belgjikë, barazoi 2-2 në Poloni dhe fitoi në Tiranë me Belgjikën 2-0, por në ndeshjen vendimtare u mund në Greqi 0-2. Ndeshja e kthimit me Greqinë do të luhej në prill 1985 në Tiranë dhe mund të shërbente si një shans për fitore dhe rikthim në garën kualifikuese pas moralit të rënë dhe psikologjinë e tronditur të Kombëtares pas asaj humbjeje në Athinë. Por, vdekja e diktatorit komunist Enver Hoxha në 11 prill, e shtyu atë ndeshje që mund të bënte kthesën.. Mandej, në maj 1985 Shqipëria u mund në Tiranë 0-1 nga Polonia dhe gjithçka mori fund.

 

 

 

BOX

Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, grupi “E”, zona europiane

 

Stadiumi “Ulleval” në Oslo, e premte 22 mars 2013, shikues: 11207

Norvegji-Shqipëri 0-1

Gol:

Hamdi Salihi 67’

Gjyqtarë:

Bernie Raymond Kevin Blom (kryesor), Patrick Langkamp, David Franciscus Goossens (anësorë), Danny Makkelie (i katërt)

 

Norvegjia:

1-Rune Almenning Jarstein

2-Tom Høgli

5-Brede Hangeland

6-John Arne Riise

7-Markus Henriksen

8-Håvard Nordtveit

9-Mohammed Abdellaoue

10-Tarik Elyounoussi

19-Ruben Yttergård Jenssen

20-Alexander Toft Søderlund

23-Vegard Forren

Zëvendësimet:

Joshua King për Tarik Elyounoussi 62’, Valon Berisha për Alexander Toft Søderlund 75’

Kartelë e verdhë:

Vegard Forren 52’

Trajner: Egil Olsen

 

 

Shqipëria:

12-Etrit Berisha

2-Andi Lila

4-Armend Dallku

5-Lorik Cana

7-Ansi Agolli

8-Ervin Bulku

9-Edgar Çani

14-Migjen Basha

15-Mërgim Mavraj

18-Hamdi Salihi

21-Odise Roshi

Zëvendësimet:

Erjon Bodgani për Edgar Çani 75’, Elseid Hysaj për Armend Dallku 79’, Debatik Curri për Hamdi Salihi 90’

Kartelë e verdhë:

Odise Roshi 43’, Lorik Cana 78’, Andi Lila 85’, Andi Lila 89’, Ansi Agolli 90’

Kartelë e kuqe:

Andi Lila 89’ (2 të verdha)

Trajner: Giovanni De Biasi

 

 

GRUPI “E” N       F       B       H       GOL  P

1.Zvicër       5        3        2        0        7:1     11

2.Shqipëri    5        3        0        2        6:5     9

3.Islandë      5        3        0        2        6:5     9

4.Norvegji    5        2        1        2        6:6     7

5.Qipro        5        1        1        3        4:8     4

6-Slloveni    5        1        0        4        4:8     3

 

 

BOX 2

DATA         NDESHJA            REZ

07.09.2012   Slloveni-Zvicër      0:2

07.09.2012   Shqipëri-Qipro       3:1

07.09.2012   Islandë-Norvegji    2:0

11.09.2012   Qipro-Islandë         1:0

11.09.2012   Norvegji-Slloveni   2:1

11.09.2012   Zvicër-Shqipëri      2:0

12.10.2012   Shqipëri-Islandë     1:2

12.10.2012   Zvicër-Norvegji     1:1

12.10.2012   Slloveni-Qipro       2:1

16.10.2012   Qipro-Norvegji      1:3

16.10.2012   Islandë-Zvicër        0:2

16.10.2012   Shqipëri-Slloveni   1:0

22.03.2013   Slloveni-Islandë     1:2

22.03.2013   Norvegji-Shqipëri  0:1

23.03.2013   Qipro-Zvicër                   0:0

07.06.2013   Shqipëri-Norvegji  -:-

07.06.2013   Islandë-Slloveni     -:-

07.06.2013   Zvicër-Qipro                   -:-

06.09.2013   Slloveni-Shqipëri   -:-

06.09.2013   Norvegji-Qipro      -:-

06.09.2013   Zvicër-Islandë        -:-

10.09.2013   Qipro-Slloveni       -:-

10.09.2013   Norvegji-Zvicër     -:-

10.09.2013   Islandë-Shqipëri     -:-

11.10.2013   Slloveni-Norvegji   -:-

11.10.2013   Shqipëri-Zvicër      -:-

11.10.2013   Islandë-Qipro         -:-

15.10.2013   Zvicër-Slloveni      -:-

15.10.2013   Qipro-Shqipëri       -:-

15.10.2013   Norvegji-Islandë    -:-