EULEX i cilëson të pabazuara pretendimet e Simmons për këtë mision

Prishtinë, 12 korrik 2021 – Misioni u Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) i cilëson si hamendësime të pamenduara dhe të pabazuara deklaratat e ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons para para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovëa.

Gjatë një raportimi para këtij komisioni, të hënën, Simmons ka thënë se misioni i EULEX-it nuk ishte mision “i sundimit të ligjit, por mision politik”.

Sipas tij, ky mision kishte për qëllim të hiqte nga skena politike ata që ai i ka cilësuar si “peshq të mëdhenj” ose ata që nga ky mision janë parë si pengesë për dialogun Kosovë-Serbi.

Në reagimin e Zyrës së EULEX-it thuhet se Simmos është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkeljet që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX, e cila, sipas këtij misioni, ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta.

“Ne e shohim këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe të vetë BE-së”, thuhet në reagim.

EULEX, mes tjerash, i bën thirrje Simmonsit që të paraqesë para Kuvendit të Kosovës konkluzionet dhe rekomandimet e bordit disiplinor, çka do t’u mundësonte deputetëve shqyrtimin e plotë të pretendimeve të tij.

“Vetëm Simmons mund t’i paraqesë këto raporte në Kuvend, pasi pjesa tjetër e institucioneve i nënshtrohen obligimit të konfidencialitetit”,  thuhet në reagimin e EULEX.

Simmos, gjatë deklaratës së tij, ka thënë se dënimet në rastet për krime lufte, siç ishin rastet e njohura si “Kleçka” dhe “Drenica 1” e “Drenica 2”, ku kanë qenë të përfshirë figura të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë parë nga Brukseli si kruciale për përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, EULEX i hedh poshtë pretendime të tilla.

Simmons ka thënë se EULEX-i ka transferuar në Serbi të dhëna që kishin të bënin me mizoritë e pretenduara të kryera nga serbët gjatë luftës. Sipas tij, EULEX-i e dinte që Serbia nuk kishte vullnet për t’i hetuar dhe për t’I gjykuar këto raste.

“Këto ishin hetimet mbi mizoritë e pretenduara nga serbët gjatë konfliktit. Këto dokumente përfshinin jo vetëm detaje për krimet e pretenduara dhe të të dyshuarve, por edhe të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës, që ishin viktima të këtyre krimeve dhe detaje të dëshmitarëve, shumica e të cilëve ishin shqiptarë, të cilët kanë pasur të drejtë që të mbrohen”, ka thënë ai.

Misioni i EULEX-it e hedh poshtë edhe këtë pretendim.

“EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore. Ne i kërkojmë Simmons që t’i identifikojë të gjitha rastet që ai pretendon se Misioni ua dorëzoi autoriteteve serbe”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Sipas juristëve në Kosovë, raportimi i Simmonsit nuk do të ketë ndonjë efekt juridik, pasi zyrtarët e EULEX-it kanë imunitet dhe nuk mund të ndiqen penalisht nga institucionet kosovare për veprimet që mund t’i kenë kryer gjatë mandatit të tyre në Kosovë.

Që nga viti 2017, kur është larguar nga misioni i EULEX-it, Simmons ka bërë akuza të shumta për keqpërdorime dhe ndikime politike në procese gjyqësore që janë udhëhequr nga EULEX-i.

EULEX-i pati reaguar ndaj pretendimeve të Simmons, duke thënë se një ekip i pavarur hetimor, i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, ka hetuar pretendimet e Simmons, i cili nuk kishte arritur të argumentonte akuzat që i kishte ngritur.

EULEX-i ka thënë gjithashtu se Simmons ka dështuar në çdo përpjekje të tij ligjore që të vërtetojë akuzat për keqpërdorime në këtë mision, të cilat i ka quajtur “lajme të rreme”.

EULEX thekson se ish-gjyqtari Malcolm Simmons ka qenë vetë subjekt i hetimeve të pavarura për akuza serioze për keqpërdorim gjatë kohës sa e kishte ushtruar funksionin e gjyqtarit në këtë mision.

(r.m.)