EULEX nis hetimet mbi dëshmitë për djegien e trupave të shqiptarëve

Prishtinë, 28 qershor 2013 – Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë EULEX ka nisur procedimin e dëshmisë së Ivan Pajiqit, qytetarit nga Bori i Serbisë, i cili ka dëshmuar për bartjen e trupave dhe djegien e të vrarëve në luftë nga Kosova në Serbi. Sipas dëshmisë së tij, publikuar në gazetën “Tribuna” të Prishtinës, disa kamionë frigoriferë me trupa pa jetë nga Kosova kanë përfunduar në një varrezë masive në Petrovo Sello, ndërsa një kamion tjetër ka përfunduar në shkritoren e bakrit në Bor, afër Petrovo Sellos.

Njësiti i EULEX-it për persona të pagjetur është në dijeni të dëshmive tjera që ka sjellë hulumtimi i gazetës “Tribuna” për çështjen e bartjes së kufomave të të vrarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe transportimin e tyre drejt Serbisë.

Dërgimi i trupave në Serbi, groposja e tyre në varreza masive dhe djegia e disa të tjerëve në shkritore është me qëllim që të zhdukeshin gjurmët e krimeve të forcave serbe në Kosovë gjatë operacionit “Patkoi”. Nëse vërtetohet se Serbia kishte planifikuar një aksion të tillë, ajo do të dënohej për gjenocid nga gjykata ndërkombëtare.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se ai ka qenë në dijeni për djegien e trupave të shqiptarë në shkritoret nëpër Serbi, mirëpo kjo nuk është thënë, për shkak se nuk është pritur mirë nga popullata dhe familjet e viktimave.

“Këto informata i kemi ditur qysh nga viti 2004. Kemi bërë edhe disa publikime në atë kohë, por ka qenë një lajm jo fort i mirëpritur në popullatë. Informacione të shumta në lidhje me këtë na ka dhënë Natasha Kandiq, e cila ka thënë se ka dëshmi për djegien e trupave të pajetë të shqiptarëve”, ka thënë Gërxhaliu.