EULEX ofron 82 mijë euro shpërblim për informata mbi vrasjen e Audrius Šenavičiusit

Prishtinë, 19 shtator 2021 – EULEX ka njoftuar se ofron shpërblim prej 82,000 eurosh për informata që do të shpinin në arrestimin dhe dënimin e autorit apo autorëve të vrasjes e oficerit doganor të këtij misioni, lituanezit Audrius Šenavičius, tetë vite më parë.

“Paraqituni, nëse keni ndonjë informatë që mund t’i ndihmojë policisë. Ne ofrojmë një shpërblim prej 82.000 eurosh për informata që shpien në arrestimin dhe dënimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasjeje. Për informata rreth raportimit të çfarëdo informate lidhur me vrasjen e Audriusit, ju lutemi të kontaktoni +383 38 284 181 ose vizitoni faqen tonë të internetit”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Ky njoftim u publikua në përvjetorin e tetë të vrasjes së pjesëtarit të ndjerë të policisë së EULEX-IT, Audrius Šenavičius.

Drejtuesit e këtij misioni bënë homazhe në vendin ku ishte kryer vrasja, e cila nuk është ndriçuar ende.

“Ishte e enjte 19 shtator 2013 kur kolegu ynë Audrius Šenavičius u qëllua për vdekje, derisa ishte duke vozitur për në punë. Sot ne e nderojmë kujtimin për të dhe shprehim keqardhje të thellë për familjen dhe të dashurit e tij”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Zyrtari doganor i EULEX-it, Audrius Šenavičius, nga Lituania, ishte vrarë më 19 shtator 2013, në veri të Kosovës, derisa ishte duke shkuar në vendin e punës, në vendkalimin kufitar me Serbinë, Jarinje. Ndaj veturës të cilën po e drejtonte I ndjeri ishte shtënë nga një pritë, në afërsi të Zveçanit.

(r.m.)