Eurogrupi: shqetësim për Italinë, në pritje për Slloveninë

Nga Eliana Xhani

Ministrat e financave të eurozonës për momentin nuk do të ndërmarrin asgjë për shpëtimin e anëtarit në vështirësi të eurogrupit, Sllovenisë. Për Greqinë miratuan 7,5 miliardë euro ndërsa shprehën shqetësim për Italinë.

“Qeveria sllovene thotë se mund t’ia dalë mbanë pa ombrellën e shpëtimit. Unë besoj se ajo ka të drejtë.” Me këto fjalë shpjegoi ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble përse eurogrupi nuk do të ndërmarrë asnjë masë në të ardhmen e afërt, për t’i ardhur në ndihmë Sllovenisë. Sipas shefit të eurogrupit Jeroen Dijsselbloem, ministrat e financave do të presin rekomnadimet për kursime të Komisionit të BE-së, të cilat priten në fund të majit.

Në takimin e ministrave, ministri i Financave të Sllovenisë Uros Cufer u shpjegoi homologëve programin e kursimeve të vendit të tij. Sipas këtij plani do të rritet taksa mbi vlerën e shtuar dhe do të vendoset një taksë për imobiljet. Veç kësaj qeveria sllovene do të çojë përpara privatizimin e pasurisë shtetërore, ndër të tjera të bankës së dytë më të madhe të vendit, NKBM, si dhe Telekom Slovenija.

Shpresë në Greqi

Në rimëkëmbjen e vendit të eurozonës ende të kërcënuar nga falimentimi, Greqisë, si eurogrupi ashtu edhe Trojka e përbërë nga FMN, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni i BE-së, shohin përmirësime. Ministrat e financave të eurogrupit konstatojnë se rimëkëmbja e buxheteve publike në Greqi ka bërë përparime të mira. Për rrjedhojë ministrat miratuan disbursimin e 7,5 miliardë eurove nga programi i shpëtimit në vijim. Në Athinë kryeministri Antonis Samaras bëri të ditur se ekspertët e Trojkës këtej e tutje nuk do e kontrollojnë vendin çdo tremujor. Vizita e ardhshme e kontrollorëve do të zhvillohet tetorin e ardhshëm. Samaras u shpreh optimist se vendi i tij vitin e ardhshëm do të ketë fituar sërish besimin e kreditorëve. Më e keqja nuk ka kaluar ende por “rënia e ekonomisë është ndalur. Së shpejti do të kemi përsëri ngjitje”, tha kryeministri grek.

Ndërkohë Komisioni i BE-së tërhoqi vëmendjen se kursi i konsolidimit kërkon masa të tjera kursimi për vitet 2015 dhe 2016. Për këtë arsye një rikthimi i Greqisë në tregjet financiare do të jetë i mundur vetëm “pas disa vitesh”, citon agjencia e lajmeve Reuters nga projekt-raporti i Trojkës.

Para për Qipron – shqetësime për Italinë

Po të hënën (13.5.) fondi i shpëtimit të euros ESM në Luksemburg konfirmoi se Qipros në vështirësi i janë dhënë dy miliardë euro. Deri në korrik republika ishull do të mbështetet me dhjetë miliardë euro: nëntë miliardë nga fondi i shpëtimit ESM dhe një miliard nga FMN.

Nga Roma të hënën u bë e ditur se Italisë i duhet të rrisë objektivin e saj për deficitin për vitin e ardhshëm. Deri tani Italia llogariste me një deficit prej 1,8 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (BBP), Ministria e Financave duhet megjithatë ta korrigjojë objektivin e buxhetit në 2,9 për qind. Kështu vendi me borxhe të larta dhe i ngërthyer nga recesioni do të jetë në kufi me kriteret e stabilitetit të BE-së, të cilat parashikojnë një kufi maksimal të deficitit prej 3 për qind të BBP.