Evropa e ftuar tek miqtë

Izraeli ka luftuar për vendin e tij në futbollin ndërkombëtar. Tani ai organizon kampionatin evropian U21, ngjarjen e parë sportive evropiane në historinë e tij, që duhet të ndryshojë imazhin e vendit, brenda dhe jashtë.
Shoqata izraelite e futbollit është pjesë e UEFA-s që prej vitit 1991. Tani Izraeli për herë të parë mund të organizojë një turne evropian me kampionatin U21. Kjo është ngjarja më e madhe sportive në historinë e Izraelit. Vendi dëshiron të prezantohet si një mikpritës i mirë. Kampionati evropian U21 duhet të ndryshojë imazhin e Izraelit jashtë, por dhe brenda vendit.
Jetën normale, këtë duhet të tregojë kampionati evropian U21 në Izrael, thotë Yoel Razvozov. Ai do të thotë që edhe në Izrael mund të jetohet paqësisht dhe që vendi është i bukur. Razvozov është i pari ish sportist profesionist në parlamentin e Izraelit, Knesset. Judoka i dikurshëm, i cili ulet në parlament për partinë e re Yesh Atid, thotë në një bisedë në zyrën e tij në Jeruzalem: “Unë kam udhëtuar shumë dhe kam përjetuar shumë njerëz, që nuk dinë shumë për Izraelin.” Nuk dinë shumë, apo kanë një imazh negativ për Izraelin. Një imazh, që përbëhet vetëm nga lufta dhe terrori.
Por ka edhe një Izrael tjetër: bregdeti i Tel Avivit me baret dhe klubet e tij për shembull, jeta e gëzueshme. Ido Weil, pronar dhe administrator i TLVnights, është një prej atyre, që përcjellin këtë imazh. Weil u tregon turistëve jetën e natës në qytetin bregdetar në Mesdhe. “Unë takoj vazhdimisht njerëz nga e gjithë bota dhe ata e kuptojnë mënyrën tonë të jetesës këtu”, thotë Weil. “Dhe që Izraeli është një vend liberal.”
Një ngjarje sportive është e përshtatshme për të ndryshuar një imazh të ngulitur fort. Vizitorë privatë dhe përfaqësues të medieve nga e gjithë bota do të jenë të ftuar dhe përshtypjet e tyre ata do t’i përcjellin në të gjithë botën. Në këtë rast bëhet fjalë edhe për ngjarjen e më të madhe sportive, që ka përjetuar ndonjëherë Izraeli dhe para së gjithash të parën ngjarje sportive evropiane në historinë e tij. “Evropa vjen në Izrael”, gëzohej Tal Shorrer, shefi i programit sportiv të një kanali kombëtar radiofonik atë mbrëmje të ngrohtë vere, kur gazetari ndiqte në tribunën e stadiumit Netanya ndeshjen hapëse të kampionatit U21, mes Izraelit dhe Norvegjisë: “Për izraelitët dhe politikën izraelite është shumë e rëndësishme që UEFA e organizon në Izrael kampionatin evropian U21, që sjell këtu vende pjesëmarrëse evropiane, pas situatës së vështirë në fund të vitit të kaluar në Rripin e Gazës.”
Tani rreziku më i madh vjen nga Siria dhe Irani, por nëntorin e kaluar Hamasi pati qëlluar me raketa kundër Izraelit, i cili u kundërpërgjigj. U ngrit pyetja, nëse Izraeli ishte vendi i përshtatshëm për organizimin e kampionatit U21.

Hebrejtë dhe arabët luajnë së bashku në një ekip

Në hijet e konfliktit me palestinezët harrohet lehtë se gjashtë lojtarë të kombëtares aktuale izraelite U21 janë arabë. Këtu duket se bashkëekzistenca paqësore mes karaktereve, kombësive dhe feve, funksionon. Kështu u shpreh të paktën lojtari i kombëtares izraelite U21 Orr Barouch pas ndeshjes me Norvegjinë në stadiumin Netanya: “Në ekip nuk ka shumë ego dhe kjo është më e rëndësishmja, traineri ynë ka krijuar një ekip të mrekullueshëm. Nuk ka aspak rëndësi nga vjen, kush je e të tjera si këto. Ne mbështesim njëri-tjetrin dhe jemi të gjithë të lumtur për këtë.”