Fajon: Kosova dhe Serbia të ulen të bisedojnë për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve

Prishtinë, 16 janar 2023 – Zëvendëskryeministrja e ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, deklaroi të hënën në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet të diskutojnë për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të raporteve midis tyre.

“Gjithmonë kam thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përpiqen për normalizim e marrëdhënieve. Nuk bën të lejohet ekslaimi i situatës dhe duhet të fillojnë bisedimet dhe negociatat për propozimin e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e palët e kanë në tryezë”, tha Fajon, në konferencën e përbashkët për medie me ministren e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Zonja Fajon tha se Sllovenia e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe është e gatshme të japë ndihmën e saj.

“Jam ofruar për të ndihmuar në normalizimin e raporteve mes shteteve. Siç e dini, Sllovenia e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Shefja e diplomacisë sllovene, e cila një kohë të gjatë ka qenë raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha se të gjithë janë të shqetësuar për sigurinë në ballkanin Perëndimor.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan, duam një Ballkan të fortë dhe Kosovë të forte”, tha ajo.

Zonja Fajon tha se me ministren Gërvalla kanë biseduar edhe për bashkëpunimin mes dy shteteve. Ajo theksoi se Sllovenia është mike e Kosovës dhe se e mbështet Kosovën nër procesin e integrimeve euro-atlantike.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se zonja Fajon, kudo që ka shërbyer, ka qenë mnështetëse e fuqishme e Kosovës. Ajo tha se Sllovenia ka qenë dhe vazhdon të jetë avokate e integrimit të Kosovës në strukturat auro-atlantike.

Zonja Gërvalla tha se Serbia vazhdon të kërcënojë paqen e stabilitetin në Kosovë dhe në mbarë rajoni, gjë që kërkon përgjigje të përbashkët. Ajo bëri thirrje për përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. 

“Pa paqen dhe stabilitetin e nevojshëm në rajonin tonë dhe pa një Evropë që e përfshin gjithë Evropën, sfidat do të mbesin të njëjta. Rajoni ynë ndodhet në një fazë të rrezikshme të historisë evropiane”, u shpreh ajo.

Ajo shprehu besimin se Sllovenia do të mbështesë aspiratën e Kosovës për anëtarësim edhe në NATO.

(r.m.)

Comment

*