Faleminderit John Lewis, në emër të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve

Një amerikan i madh, i respektuar nga të gjitha krahët e politikës ishte anëtar deri në ditën e fundit të jetës i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan

Nga Ruben Avxhiu

Amerika përcolli sot në banesën e fundit, një nga veteranët e fundit që kanë mbetur gjallë nga Lëvizja e madhe për të Drejtat e Njeriut të viteve 1960. Të udhëhequra nga Martin Luther King Jr, ato i dhanë fund ndarjes, segregacionit të amerikanëve sipas racave, duke nisur bashkimin dhe ripajtimin e kombit amerikan.
John Lewis është një figurë historike. Ishte i majtë, po dënoi ashpërsisht krimet e komunizmit, ishte një patriot amerikan gjatë Luftës së Ftohtë dhe dënoi ashpër antisemitizmin sa herë që shfaqej në lëvizjet kundër racizmit në SHBA.
Është domethënëse që ai përcillet sot me fjalime si nga një president demokrat (Bill Clinton) ashtu edhe nga një republikan (George W Bush).
Shqiptarët nuk kanë treguar interesin e duhur për këtë figurë madhore amerikane, po ne duhet të jemi krenarë për të.
John Lewis ishte deri në ditën e fundit të jetës, anëtar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan.
I afruar për të marrë pjesë nga kolegu i tij dhe themeluesi i Kaukusit shqiptar Eliot Engel, John Lewis dhuroi peshën e tij të madhe morale në mbështetje të kauzës së Kosovës.
Është e vështirë ta shpjegosh brezit të sotëm sesa e rëndësishme ishte për në atë kohë, që një i mbijetuar i lëvizjes së Martin Luther King Jr shihte te shqiptarët e Kosovës një apartejd që ishte revervuar për të zinjtë e Afrikës së Jugut, që shihte te lëvizja shqiptare për pavarësi një shembull të frymëzuar nga lëvizja historike e të drejtave të njeriut në SHBA.
Në një fjalim që u përlot ishte kur i dhanë çmimin kombëtar të librit në SHBA. U përlot se iu kujtua dita e parë, kur si fëmi kishte hyrë në bibliotekën e lagjes ku banonte dhe e kishin përzënë duke i thënë se bibliotekat ishin vetëm për të bardhët.
Amerika ka bërë një rrugë të madhe që nga ajo kohë dhe vetë John Lewis ishte një nga faktorët e ndryshimit. Përplasjet e sotme për racizmin nuk mund të kuptohen tërësisht nga amerikanët e rinj dhe emigrantët, sepse shumica e tyre kanë jetuar në një kohë kur shumë gjëra kanë ndryshuar. Sigurisht që ka partizanizma e abuzime për arsye politike e partiake të luftës kundër racizmit, pork y nuk është justifikim për të mos u edukuar me tragjedinë e madhe të skllavërisë në SHBA dhe transformimin e madh të këtij kombi që nga Lufta Civile te Lëvizja për të Drejtat e Njeriut e në ditët tona.
Nuk është çudi pra që John Lewis u prek nga realiteti tragjik kosovar, ku fëmijët refuzoheshin në shkolla e universitete vetëm pse ishin shqiptarë, ku një shoqëri e tërë ishte detyruar të financonte e organizonte një sistem parallel shkollash në mjedise private për të arsimuar të rinjtë.
Eliot Engel e themeloi Kaukusin Shqiptar në Kongres i frymëzuar nga puna që po bënin kaukuse pionere si ajo e Kaukusit të Zi të Kongresit të udhëhequr nga John Lewis. Ai e dinte ndikimin e këtij kaukusi te Presidenti Bill Clinton dhe punoi për të siguruar anëtaresimin e kongresistit Lewis në Kaukusin e Çështjeve Shqiptare. Lewis ka bashkë-sponsorizuar e firmosur dhjetëra rezoluta, letra, e thirrje në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës.
Sot, kur Amerika i jep atij lamtumirën e fundit, shqiptarët duhet të jenë krenarë që ky amerikan i madh luftoi edhe për ta dhe duhet të bashkohen në dhënien e përshëndetjes së fundit.