Familja maqedonase dhuroi zemrën e vajzës për të shpëtuar jetën e një djali 27 vjeç

Shkup, 17 prill 2021 – Në Maqedoninë e Veriut është realizuar për të dytën herë transplanti i zemrës.

Bëhet fjalë për një djalë 27 vjeçar, të cilit i është transplantuar zemra e një vajze të ndjerë, familja e së cilës i ka dhuruar organet.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përmes një postimi në rrjetet sociale ,ka njoftuar realizimin e këtij operacioni të vështirë. Ai e ka përgëzuar ekipin e Klinikës së Kardio-kirurgjisë, ndërsa mirënjohjet më të thella i ka shprehur për familjen që dhuroi zemrën e vajzës jeta e së cilës u mbyll tragjikisht. 

Rastet e dhurimit të organeve në Ballkanin Perëndimor janë të rralla. Më të shumta janë rastet e dhurimit të njërës  veshkë nga familjarët e pacientëve që kanë nevojë për transplant.  

“Në ora 3:33 të mëngjesit të sotëm, tek një djalë 27-vjeçar janë dëgjuar rrahjet e një zemre të re, të dhuruar! Ky është transplantimi i dytë i zemrës, i kryer në historinë e vendit, në Klinikën e Kardio-kirurgjisë .

Urime të gjithë kolegëve dhe faleminderit gjithë ekipit që punoi pa u lodhur gjatë gjithë natës!

Ky është një sukses i madh i kujdesit shëndetësor maqedonas, që nuk do të ishte e mundur pa pëlqimin për dhurimin e organeve nga familja e pacientes së re që e humbi jetën e saj para kohe. Jam krenar për kolegët e mi!.

“Jeta e saj përfundoi tragjikisht, por zemra e saj e shpëtoi një jetë tjetër. Nuk ka fjalë që shprehin mirënjohje për familjen. Dhurimi i zemrës së vajzës së saj për transplantim është një veprim tepër human”, shkruan ministri Filipçe.

(r.m.)

Comment

*