Fantazma e Shën Stefanit reinkarnohet në aspiratat e Putinit

Emin AZEMI

Putini po synon ta rikthejë frymën e vendimeve të Shën Stefanit për të arritur disa qëllime. Rusia e Putinit synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të Rusisë Cariste. Por, tani Putini nuk mund ta gjunjëzojë Perëndimin dhe nga Ukraina nuk mund ta krijojë një Bullgari të Madhe. Paramtetrat historikë e gjeo-politikë tani janë kundër horoskopit politik të Putinit, për arsye se Perëndimi tani është më homogjen se kurdoherë më parë dhe Ukraina me Zelenskyn në krye kurrë nuk do të bëhet Bullgari e Madhe, as satelit i Rusisë.

 

Një ish-zv.ministër  rus ia zbulon planet Putinit, duke zbërthyer prapavijën e Kremlinit për urgjencën e arritjes së një marrëveshje me Ukrainën në bisedimet nisën në një vend afër kufirit Bjellorusi- Ukrainë. Bëhet fjalë për ish-zëvendës-ministrin e Jashtëm të Rusisë, Andrei Fedorov, i cili tha se Putini synon një fitore të plotë deri më 2 mars.

Duke folur për Al Jazeera, Fedorov tha se “çdo gjë do të varet duke folur sinqerisht në dy ditët e ardhshme, sepse, sipas njohurive të mia, Putin urdhëron operacionin e plotë ushtarak për fitore deri më 2 mars”, duke shtuar se Moska u befasua nga rezistenca e ashpër e Ukrainës dhe nga “vendimi i shteteve evropiane, të cilat janë kryesisht të varura nga gazi rus, për të vendosur sanksione të ashpra”.

Pse Putini dëshiron që pikërisht më 2 mars ta arrijë një marrëveshje me Ukrainën, e cila duhet të jetë patjetër në favor të tij? A është zgjedhur kjo datë krejt ratësisht apo simbolika e saj shkon përtej ngjarjeve aktuale dhe synon të krijojë një paralelizëm historik?

Kur jemi te historia, të përmendim 3 marsin e vitit 1878, kur u nënshkrua i ashtuquajturi Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane, i njohur si  Traktati i Shën-Stefanit, i cili ia shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80% të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik, me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, ku Rusia nuk mori asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që e fitoi, krahinën e Besarabisë, në veri të lumit Pruth, dhe duke aneksuar disa krahina që i zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum).

Megjithatë, synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore, Rusia Cariste do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së Madhe Autonome që u krijua me Traktatin e Shën Stefanit, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj, me qëllim që nëpërmjet saj të vendoste dominimin e vet në Gadishullin Ballkanik.

Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane, duke u shtrirë deri në Detin e Zi në lindje, deri në Detin Egje në Jug, deri në Danub në veri dhe deri në Malet e Voskopojës në perëndim. Sado që Bullgaria e Madhe do të mbetej nën sovranitetin e Portës së Lartë, Perandoria Osmane megjithatë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.

Pjesa tjetër e territoreve perandorake, sipas Traktatit të Shën Stefanit, do t’u jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, të cilat ktheheshin nga Principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk do të përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të paraluftës.

Sipas Traktatit të Shën Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, Bilishtit, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, etj.

Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jug-perëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e veri-lindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.

Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më shumë se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si Ulqinin, Krajën, Anamalin, Hotin, Grudën, Tuzin, Kelmendin, Plavën, Gucinë dhe Rugovën.

Shtypi ndërkombëtar në prill të vitit 1878 ishte i mbushur me artikuj të shumtë që e kundërshtonin  Traktatin e  Shën Stefanit. Në fakt, kundërshtimi më i rreptë erdhi nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Ballkan, nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Kjo ishte arsyeja që, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i fuqive të mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin, më 13 qershor 1878, ku edhe u shfuqizua ky Traktat, por sërish në dëm të tokave shqiptare.

Putini po synon ta rikthejë frymën e vendimeve të Shën Stefanit për të arritur disa qëllime. Rusia e Putinit synon ta rikthejë lavdinë e dikurshme të Rusisë Cariste. Ngjashëm si Rusia Cariste, e cila synimet e saj hegjemoniste në Evropën Jug-lindore do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së Madhe Autonome që u krijua me Traktatin e Shën Stefanit, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj,  edhe Rusia e Putinit po ngutet që deri më 2 mars të arrijë një marrëveshje me Ukrainën, duke synuar që këtë të fundit ta shndërrojë në satelite të saj për të shantazhuar Perëndimin, sodomos SHBA-të dhe NATO-n.

Putini, ky nxënës i dobët i historisë, u ka futur aventurave shën-stefaniste për ta bërë veten një Car të madh që ëndërron ta gjunjëzojë Perëndimin, sidomos  SHBA-të dhe NATO-n, ashtu siç vepruan pararendësit e tij me Perandorinë Osmane.

Atij po i ngutet që invazionin ndaj Ukrainës ty përmbyllë me një marëveshje që do të rizgjonte orekset e tij hegjmoniste e anti-perëndimore, sepse vetëm në këtë mënyrë biografia e tij do të jetë e denjë për t’u përfshirë në altarin e pansllavizmit.

Mirëpo, historia nganjëherë përsëritet, e nganjëherë jo. Për fatin e keq të Putinit, Perëndimi i sotëm nuk është më si ai i para 144 vjetëve, kur reagonte me vonesë dhe në dëm të popujve të vegjël.

Tani kemi një Perendim krejtësisht tjetër, i cili po bëhet më kuptimplotë me Amerikën dhe NATO-n, dy garantuesit esencial të stabilitetit evropian dhe sfiduesit kryesorë të hegjemonisë së Putinit.

Tani Putini nuk mund ta gjunjëzojë Perëndimin dhe nga Ukraina nuk mund ta krtijojë një Bullgari të Madhe. Paramtetrat historikë e gjeopolitikë tani janë kundër horoskopit politik të Putinit, për arsye se Perëndimi tani është më homogjen se kurdoherë më parë dhe Ukraina me Zelenskyn në krye kurrë nuk do të bëhet Bullgari e Madhe e as satelit i Rusisë.

P.S.

Shënimet mbi Traktaktin e Shën Stefanit i kam marrë nga disa autorë dhe burime të ndryshme historiografike.