FC Bayern i Mynihut fitoi Champions League

Nga Auron Dodi

 

Bayern i Mynihut e mundi Borussia Dortmund-in me rezultatin 2-1 në finalen e parë të luajtur vetëm nga ekipe gjermane në Champions League. Arjen Robben shënoi golin përfundimtar në minutat e mbylljes.

Gëzim i madh tek fansat e klubit futbollistik FC Bayern i Mynihut: kampioni i Gjermanisë fitoi tani edhe Ligën e Kampionëve, Champions League. Në një finale gjermane në stadiumin e Londrës Wembley ata mundën Borussia Dortmund-in me rezultatin 2:1. Fansat e Bayernit pas ndeshjes nuk përmbaheshin.

“Ajo që përjetuam sot ishte ngjarja sportive e vitit“, u shpreh kryetari i kryesisë së klubit të Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, në fjalimin që mbajti në festën e ekipit më të mirë futbollistik në Evropë.

 

Me kupën e fitores në duar – më në fund …

 

Dymbëdhjetë muaj pas humbjes dramatike me penallti në finalen kundër FC Chelsea, mynihasit morën mbrëmë, me fitoren 2:1 në Londër kundër Borussia Dortmundit, titullin e dytë në këtë sezon – pas fitores në Kampionatin Gjerman. Tani është e mundur edhe fitorja e titullit të tretë – në 1 qershor bavarezët do të ndeshen në Stadiumin Olimpia të Berlinit, në finalen e Federatës Gjermane të Futbolllit, DFB kundër ekipit të Shtutgartit.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck e uroi trajnerin e Bayernit, Jupp Heynckes për fitoren e titullit me fjalët „Një rezultat madhështor!“ Krenar u tregua edhe kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer: “Një fitore për përjetësinë!“ u shpreh Seehofer.

 (dpa/wsa/dw)

Comment

*