Festivali Shqiptar në New York – 30 vjet paradë e traditave më të bukura të folklorit shqiptar

Edicioni i 30 i festivalit i dedikohet Monsinjor Zef Oroshit, themeluesit të Kishës Katolike Shqiptare në SHBA

Nga Ruben Avxhiu

Nëse do t’ia tregosh një nujorkezi apo çdo amerikani botën shqiptare, mënyra më e shpejtë dhe më e përmbledhur do të ishte pjesëmarrja në Festivalin e përvitshëm të Qendrës “Nënë Tereza” e Kishës Katolike Shqiptare në New York.
Jo vetëm një amerikani. Një shqiptari gjithashtu.
Shkon në një festival të tillë dhe kupton se sa pak e njeh kombin tënd. Se sa nuk mjafton të udhëtosh gjeografikisht, pa udhëtuar në kohë, pa u ndalur dhe shikuar mirë.
Aty e kupton vërtet se Shqipëria nuk është vetëm jug e veri, këtej e andej kufirit, Tiranë e rrethe, gegë e toskë. Në trojet shqiptare historikisht, kaloje një mal e kapërceje një lumë, e papritmas ngjyrat e veshjeve ndryshonin, ndryshonte stili, aksesorët, muzika, vallja. Si ka mundësi, që një popull kaq i vogël kishte krijuar një kaleidoskop të tillë ngjyrash, tingujsh, koreografish. Të hartosh një festival kombëtar shqiptar nuk është punë e lehtë.

NJË FESTIVAL PËR TË GJITHË

Festivali, i cili mbahet çdo vit në Bronx, organizohet i nga Qendra Nënë Tereza e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, New York.
Por nuk është një aktivitet fetar e as i kufizuar në traditat e Malësisë dhe Shqipërisë veriperëndimore nga vijnë shumica e aktivistëve. Përkundrazi, meritë kjo edhe e organizatorëve, festivali është një paradë e traditave më të bukura të të gjitha trojeve. E gjen aty Çamërinë ashtu si edhe Luginën e Preshevës, mbarë Kosova e kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, talentet e tyre, traditat, historitë ngjiten në skenë. Rapsodët e moshuar të rrethuar me djem e vajza të moshave të njoma lidhin brezat. Bashkimi është përtej feje krahine.
As nuk është ky festival i kufizuar për shqiptarët e New York-ut dhe rrethinat. Pjesëmarrës vijnë nga Michigan, Massachusetts e shumë shtete të tjera ku jetojnë shqiptarët.
Asnjë ngjarje e përvitshme nuk mbledh rregullisht mbi 3,000 vetë që mbushin sallën e madhe në Bronx College, çdo nëntor. Muaji i festës kombëtare shqiptare hapet rregullisht me këtë ngjarje në SHBA.

SI FILLOI TRADITA

Këtë të shtunë e të dielë, në 5-6 nëntor, Festivali Shqiptar do të mbahet për të 30-in vit radhazi. Shumica e artistëve në skenë nuk kishin lindur ende kur filloi udhëtimin kjo ngjarje e bukur e përvitshme e komunitetit tonë.
Disa vite më parë bëra një shkrim në anglisht lidhur me këtë festival dhe bisedova për fillimet e tij me një nga figurat më të njohura të komunitetit të Kishës Zoja e Shkodrës, veprimtarin veteran të komunitetit shqiptar në New York e SHBA, Tonin Mirakaj.
Ai me tregoi se shqiptarët mblidheshin herë pas here për të festuar, por nuk kishte rregullsi, nuk kishte grupime të qendrueshme, apo institucione që të përkrahnin nismat. Mjetet ishin më të pakta e shumë prej shqiptarëve të ardhur ende në betejë për të siguruar jetën në Botën e Re.
“Në vitin 1976, shqiptarët konkurruan bukur në Festivalin e Artit Ballkanik”, tregon ai. “Shqiptarët u shquan në skenë duke konkurruar me grekët dhe jugosllavët”.
Shqiptarët katolikë kishin një grup të rinjsh e fëmijësh që kishin formuar Korin e Kishës. Kur u ndërtua kisha e re në vitin 1978, kori kishte edhe një vend ku mund të bënte prova e të zhvilloheshin talentet. Mons. Zef Oroshi, themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në diasporë i nxiti pjesëmarrësit dhe drejtuesit e korit të krijojnë edhe një grup që të zgjerojë repertorin dhe aktivitetin, përtej asaj kishëtare. Këta njerëz ishin atdhetarë dhe Mons. Oroshi ishte padyshim një patriot i vendosur. Filloi kështu kultivimi i këngëve dhe valleve shqiptare. Grupi u quajt Rozafat nga emri i kalasë së famshme të Shkodrës.
Fran Shala ka qenë që nga fillimi drejtuesi plot pasion i korit dhe grupit. Të tjerë shqiptarë të shquar të përmendur nga Mirakaj, ishin Loro Lulaj, Martin Gjelaj, Miliana Mirakaj, Martin Merturi, etj. Grupi jepte herë pas here shfaqje në New York, në festa e gëzime familjare dhe të komunitetit.
Në vitin 1986, Grupi Rozafat mori pjesë në festivalin foklorik të 100 komuniteteve etnike në New York. Festivali organizohej me rastin e 100-vjetorit të Statujës së Lirisë, që simbolizonte mikpritjen e emigrantëve në Qytetin e madh. Për 13 minuta përpara mijëra spektatorëve këngët dhe valet shqiptare shkëlqyen në skenën e vendosur në cepin jugor të Manhattan-it.
Përveç drejtuesve të kishës dhe të këshillit të kishës, grupi kishte pasur ndihmën e koreografit Gjergj Sinishtaj, kurse stilistja Prenda Shala, kishte punuar me durim e mjeshtëri të rrallë kostumet e bukura kombëtare.
Suksesi i këtij grupi frymëzoi e nxiti shumë të tjerë. Pas rënies së komunizmit, një numër talentesh nga Shqipëria pasuruan skenat e komunitetit. Një prej tyre ishte edhe valltarja e njohur Shpresa Uli që ofroi edhe ndihmën e saj si koreografe për shumë vite në komunitet. Ajo gjeti bashkëpunimin e dyshes që kisjhte dhënë aq shumë për vite me radhë, Fran dhe Liza Shala.
Tonin Mirakaj vlerëson shumë edhe dy miq të komunitetit shqiptar që nxitën dhe ndihmuan që shqiptarët të kishin festivalin e tyre kombëtar artistik.
Martin Koenig dhe Ethel Raim të Qendrës së Artit Etnik dhe Folklorik në New York kishin qenë organizatorë të festivalit ballkanik të vitit 1976. Shqiptarët u kishin lënë shumë mbresa dhe të dy u angazhuan me mish e shpirt për të transmetuar përvojën e tyre në organizimin e ngjarjeve të mëdha artistike.
Në vitin 1991, Martin dhe Ethel ishin të vendosur se shqiptarët duhej të kishin festivalin e tyre. Ata morën pjesë në disa takime në Kishën Katolike Shqiptare ku drejtuesi i atëhershëm Imzot Rrok Mirdita dhe ndihmësi i tij At Peter Popaj ofruan të gjitha mjetet e kishës për të bërë festivalin një realitet.
Festivali i Parë Mbarëshqiptar në New York u mbajt kështu në 20 tetor 1991 dhe ka vazhduar (me një shkëputje të vetme për shkak të pandemisë për tri dekada me radhë.)
Edicionin e parë, tashmë disi të largët, e drejtoi një vajzë amerikane (Jane Sugerman) dhe një djalë shqiptar (Gjovalin Nikçi). Hyrja atëhere ishte pa pagesë. Organizatorët donin vetëm që njerëzit të vinin dhe shikonin se çfarë mund të bënin shqiptarët. Në vend të një grupi të vogël spektatorësh mbi 700 vetë u mblodhën për të parë festivalin.
“Nuk na priste mendja se do të mblidheshin kaq shumë vetë”, tha në atë kohë për gazetën “Illyria”, Tonin Mirakaj. Në momentin e fundit u gjet një sallë shtesë, por përsëri nuk pati vend për të gjithë.
Interpretimi i parë i edicionit të parë, në vitin 1991, ishte “Kangë mbas krahi”, kënduar nga artisti Mark Vulaj. Ai u ndoq nga një melodi me fyell e sjellë nga Zef Lucaj dhe një këngë me lahutë. Këngëtarët i shoqëroi orkestra e vëllezërve Krasniqi. Artistët që interpretuan ishin: Resmije e Rifat Kida, Lush Kocaj, Ruzhdi Limani, Haxhi Maqellara, Miljana Mirakaj, Fran Shala, Haxhi Nezaj, Nikollë Rexhaj. Po mbi të gjithë zemrën publikut ia fituan valltarët e rinj. Ata ishin premtimi se Festivali Shqiptar kishte një të ardhme të ndritur. “Illyria” në atë kohë kishte ndarë në veçanti vallen “Vajza e luleve” me koreografi nga Shpresa Uli.
Programi u mbyll me këngën “Shqipëri, o nëna ime”, të cilën nuk ngeli njeri në sallën e mbushur me qindra vetë që nuk iu bashkua, shumëkush me lotë në sy.
Një moment krenar ishte edhe kur një zyrtar i Bashkisë së Bronx-it i dhuroi kryetarit të Festivalit, Tonin Mirakajt, proklamatën e Presidentit Fernando Ferrer që e shpallt 20 Tetorin 1991,“DITE E SHQIPTARËVE NË BRONX”.
Në kafenenë e Kolegjit Lehman, shërbeheshin ushqime shqiptare të gatuar nga aktivistë të komunitetit të kishës. Ato ishin siguruar nga Shoqata e Prindërve të komunitetit të Kishës, e drejtuar nga Vera Lekocaj.
“Kishte qenë gjithmonë një ëndërr për ne që të të kishim festivalin tonë dhe më në fund e bëmë realitet”, thotë Tonin Mirakaj, në bisedën e bërë përpara disa vitesh. “Ishte një sukses i plotë dhe hapi i parë një tradite të bukur që vazhdon edhe sot”.
“Pjesëmarrja e Martinit dhe Ethelit ishin një ndihmë e madhe”, tregon ai. “Talentet nuk na mungonin në komunitet, as dëshira dhe bujaria, por na duhej përvoja që sollën dy miqtë tanë. Martini nuk jeton më në New York, kurse Ethel ka vazhduar të na ndihmojë për shumë vite me radhë. Ka bërë edhe shkrime për festivalin tonë. Për ndihmën e tyre do t’u jemi gjithmonë mirënjohës”.
Numri i atyre që kanë luajtur rol vendimtar në mbajtjen e kësaj tradite në vite është i madh. Disa emra përsëriten shumë më shpesh. Ndër ta janë Mark K Shkreli për shumë vite kryetar i Festivalit, kryredaktori për shumë vite i revistës “Jeta Katolike”, të palodhshmit e të kudogjendurit Fran Shala e Simon Vukelji.

Festivali i 30, kushtuar figurës së Mons. Zef Oroshit

Festivali që rikthehet sot e nesër në Bronx, New York (5-6 nëntor 2022), i kushtohet figurës së Mons. Zef Oroshit, klerikut të shquar që themeloi Kishën Katolike Shqiptare në SHBA.
Atdhetarit të palodhur që nuk rreshti së frymëzuari dashurinë për Shqipërinë, ndonëse nga Shqipëria ishte detyruar të largohej për të shpëtuar jetën e ndonëse në Shqipëri po ia persekutonin e dhunonin njerëzit më të dashur.
Si student e studjues i shkëlqyer mund të kishte vazhduar jetën universitare në Itali, ku u diplomua e përfundoi programin Master për Teologji por dëgjoi thirrjen e jetës dhe u kthye për të shërbyer si prift në Shqipëri. Ishte dëshmitar se si regjimi komunist ekzekutoi pa mëshirë mentorin dhe njeriun me të cilin shërbente në atë kohë, Ipeshkv Frano Gjinin. Në mërgim, Mons. Oroshi pati rastin të përfundojë doktoraturën në Teologji, në Romë, shërbeu si prift në kampet e refugjatëve që ishin larguar nga Shqipëria e Jugosllavia, e në fund u dërgua nga Vatikani për t’u shërbyer katolikëve shqiptarë në SHBA.
Mons. Zef Oroshi është pjesë e asaj plejade udhëheqësish fetarë që kanë bërë historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ashtu si Fan Noli për të krishterët ortodoksë, Vehbi Ismaili për myslimanët dhe Baba Rexhebi për bektashinjtë, Mons. Oroshi është një figurë themelore që arriti të organizojë e kthejë praninë e shqiptarëve katolikë në SHBA në një forcë atdhetare, kulturore, e shoqërore të fuqishme.
Në vitin 1966, ai themeloi revistën “Jeta Katolike”. Në vitin 1970, tre vjet pasi kishat dhe xhamitë ishin mbyllur nga regjimi komunist në Shqipëri, ai hapi Kishën e parë Katolike Shqiptare në SHBA, “Zoja Jonë e Këshillit të Mirë”, një trashëgimtare krenare të Kishës së Shkodrës të qëndresës së dikurshme të kohërave të Skënderbeut dhe të shkatërruar sërish nga regjimi komunist.
Ishte ky komunitet që mikpriti më vonë Nënë Terezën e që u bë një forcë e madhe e komunitetit shqiptar, përfshi edhe në lobimin e demontratat për Kosovën, demokracinë në Shqipëri, e të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre autoktone.
Për punën e tij, Zef Oroshi mori titullin Monsignor nga Papa Pali VI në vitin 1973.
Mons. Zef Oroshi ndërmori edhe dy veprime që siguruan vazhdimësinë e punës së tij në New York. Kërkoi me ngulm që të sillte në Bronx, një tjetër prift katolik dhe punoi që të paktën një prej të rinjve të komunitetit të fillonte studimet për t’u bërë prift katolik. Përpjekja e parë përfundoi me sukses kur nga Mali i Zi erdhi At. Rrok Mirdita, kurse e dyta u kurorëzua në 1986, kur Peter Popaj, u bë shqiptari i parë që u shugurua prift në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një student i suksesshëm, At. Peter Popaj vazhdon edhe sot drejtimin e këtij komuniteti në Kishën e bukur të Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York.
Mons. Zef Oroshi mbylli sytë në 15 mars 1989 dhe nuk jetoi të shihte rrëzimin e komunizmit dhe kthimin e lirisë në trojet shqiptare për të cilat nuk kishte pasur kurrë dyshim. Ai nuk jetoi të shihte as Fetsivalin e parë Shqiptar të organizuar nga Kisha Katolike, por nuk ka dyshim se ky festival nuk do të ishte bërë kurrë realitet pa kontributin e madh të Mons. Oroshit jo vetëm në ngritjen e kishës, por edhe në nxitjen e kultivimit të pasurisë sonë të madhe folklorike në vite.