Festohet në Shqipëri 5-vjetori i pavarësisë së Kosovës

Denion Ndrenika

Mijëra qytetarë në Tiranë festuan, me entuziazëm, 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Që nga ora 11:00 deri në orën 20:00, Bashkia e Tiranës organizoi veprimtari kulturore përgjatë rrugës “Murat Toptani”.
“Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan të festojnë Pavarësinë e Kosovës kishin mundësi të shijojnë muzikën më të mirë të vendit dhe të huaj”, – tha zyrtari i Bashkisë së Tiranës, Drejtor i Artit dhe Kulturës, Arben Skënderi. Zoti Skënderi shtoi se po afron dita e shënuar e kujtimit të 17 Shkurtit 2008, kur kombi shqiptar festonte Pavarësinë e Kosovës: “Një koncert madhështor me Juliana Pashën, Vedat Ademin, Valon Shehun, Marselën, me grupin “NA” dhe me shumë të tjerë. Do të jetë cirku i Tiranës që do na dhurojë një spektakël të magjishëm e do të kemi shumë surpriza të tjera për qytetarët e Tiranës, në mënyrë që kjo festë të ndihet në mbarë trojet shqiptare”. Përfaqësues të grupeve muzikorë falënderuan Bashkinë e Tiranës për mundësimin e festimeve në mbarë qytetin. Qytetarët uruan përmbushjen e idealit kombëtar. “Gëzohemi, jemi shumë të lumtur për pavarësinë e Kosovës! Shyqyr që mbushi 5 vjet! Ishallah jetë të gjatë pastë!”-tha një qytetare.
Urime për 5-vjetorin dha edhe trajneri i Kombëtares së Shqiptarëve, Xhani de Biazi. Në rrjetin shoqëror “facebook” dhe me fotografinë e tij me flamurin kombëtar të shqiptarëve trajneri de Biazi shkruan në gjuhët shqipe, italiane dhe angleze: “Gëzuar Kosovë”!
Më parë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi pavarësinë e Kosovës si arritjen më të madhe historike të shqiptarëve pas pavarësisë së Shqipërisë. Zonja Topalli hapi seancën solemne të Kuvendit për nder të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Sipas kryekuvendares, shqiptarët nderojnë vizionarin e pavarësisë së Kosovës, “Gandin” e Ballkanit, presidentin Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari si dhe të gjithë bijtë dhe bijat që dhanë jetën për idealin kombëtar. Për zonjën Topalli, shqiptarët shohin bashkimin e tyre dhe me Europën: “Duke parë diferencën midis numrit 100 dhe atij 5, tregon se sa i vështirë dhe se sa mbinjerëzore kanë qenë përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni në Mal të Zi për të fituar lirinë dhe pavarësinë. Liria dhe pavarësia e Kosovës është momenti më i veçantë. 100-vjetori dhe jubileu i pavarësisë së Shqipërisë na ka bërë të kuptojmë se ne duhet të bashkohemi me njeri-tjetrin në perspektivën tonë europiane”.
Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij theksoi përpjekjet shekullore dhe luftërat e parreshtura për liri dhe bashkim kombëtar: “Ne nderojmë 125 vite e më shumë luftëra, përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës. Pavarësia e Kosovës zhduku nga harta e Europës koloninë e fundit që kishte mbetur si pasojë e një padrejtësie ndër më të mëdhatë, padrejtësisë së copëtimit të kombit shqiptar, shkëputjes së Kosovës nga trungu i territoreve kombëtare të shqiptarëve”.
Deputetët e Partisë Socialiste që nuk morën pjesë në seancë, thanë se nuk ishin njoftuar nga Kuvendi. në seancë munguan gjithashtu ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i OSBE-së, Ojgen Volfart dhe i Komisionit Europian, Etore Sekui.
Kryeministri Sali Berisha shkruan se në 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kombi përulet me nderimin më të madh përpara veprës së arkitektit të pavarësisë, Presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificës sublime të kryeheroit të shqiptarëve Adem Jashari dhe mijëra e mijëra luftëtarëve të lirisë që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për çlirimin e Kosovës.
Zoti Berisha zgjodhi rrjetin shoqëror “facebook” për të uruar shqiptarët mbarë për 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri shkruan se pavarësia e Kosovës është faqja më e ndritur e përpjekjeve të shqiptarëve për liri. Mirënjohje të veçantë kryeministri Berisha ua jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentëve Bill Klinton dhe Xhorxh Bush i Riu dhe NATO-s që luajtën siç shkruan, rol kryesor në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Për zotin Berisha urimet më të mira shkojnë për qytetarët dhe udhëheqësinë politike të Kosovës, që e shndërruan Republikën e Kosovës në faktor të rëndësishëm të paqes, qëndrueshmërisë e bashkëpunimit rajonal.