Filmi kosovar “Pa vend” e fiton çmimin kryesor të festivalit në Toronto, kualifikohet për Oscar

Toronto, 19 shtator 2021 – Filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, e ka fituar çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, ka njoftuar producenti i filmit, Eroll Bilibani.

Me këtë çmim, filmi “Pa vend” është kualifikuar zyrtarisht për “Oscars 2022” në kategorinë e filmit të shkurtër.

TIFF njihet si festivali më i madh publik në botë dhe si festivali më i rëndësishëm në Amerikën Veriore. Edicioni i sivjetmë ishte edicioni i 46-të I festivalit. Filmi “Pa vend” ishte në garë në kategorinë e filmave të shkurtër, Short-Cuts, në të cilën konkurruan 38 filma nga 23 shtete.

Juria e Festivalit tha se filmi “Pa vend” fitoi në një konkurrencë shumë të fortë.

“Filmi ‘Pa vend’ i Samir Karahodës na mahniti me pamjet, vendndodhjet dhe personazhet e tij unike. Na e sollën në jetë një përkushtim kishotian, por të përkushtuar ndaj një sporti dhe një vendi që është vështirë të artikulohet, madje edhe ndaj vetvetes”, tha juria.

Regjisori i filmit, Samir Karahoda, në një video-mesazh drejtuar drejtuesve dhe audiencës së festivalit në Toronto, ka thënë se çmimin ua dedikon atyre të cilëve u është dedikuar edhe filmi, “të gjithë sportistëve dhe talenteve të reja të vendit tim të vogël dhe të bukur”.

Producenti i filmit, Eroll Bilibani, ka njoftuar se deri në fund të nëntorit filmi do të shfaqet në  17 festivale të filmitanembanë botës.

“Rrugëtimi i ‘Pa vend’, deri më tani, duket mjaft mbresëlënës. Deri në fund të nëntorit filmi do të udhëtojë në 17 festivale dhe do të shfaqet si premierë në të gjitha këto shtete. ‘Pa vend’, premierën botërore e kishte në festivalin e Kanës, ku edhe u nominua në kategorinë e filmit më të mirë Evropian për ceremoninë Europian Film Aëards, i cili njihet si Oscari Evropian”, ka shkruar Bilibani.

(r.m.)

Comment

*