Filmi “Pa vend” e përfaqëson Kosovën në Festivalin e Kanës

Prishtinë, 19 qershor 2021 – Filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend”, i regjisorit Samir Karahoda, do të garojë për “Palmën e Artë” në garën zyrtare të festivalit të filmit në Kanë.

Ky është filmi i parë kosovar që përzgjidhet në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Filmi “Pa vend” sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta, në kontekstin e situatës së sotme.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, regjisori Samir Karahoda, ka thënë se kjo është një prej arritjeve më të mëdha të kinematografisë së Kosovës, pasi filmi i tij është prodhuar nga një ekip lokal.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Është një prej arritjeve më të mëdha të kinematografisë vendore, duke përfshirë edhe ekipin. Vlen të përmendet që filmi është punuar nga një ekip lokal. Pra, i tërë ekipi ka qenë nga Kosova. Me këtë e kemi dëshmuar se nëse bëhemi bashkë mund të arrijmë edhe të garojmë në secilin shtet të botës, sa i përket kësaj fushe”, ka thënë ai.

Ai e ka shprehur kënaqësinë që filmi i tij është ndër filmat që e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë dinjitore në botën e filmit.

“Sukseset e tilla të filmave tanë e ndërrojnë automatikisht perceptimin e selektorëve të festivaleve të filmit, pasi nëse në çdo festival të madh kemi një prezencë, atëherë automatikisht fotografia jonë në aspektin e kinematografisë do të ndryshojë”, ka thënë ai.

Karahoda ka thënë se mbështetja materiale e shtetit të Kosovës për prodhuesit e filmit është në disproporcion shumë të lartë me sukseset  e filmave.

 “Nuk ka një balancë të suksesit me mbështetjen. Nëse kishte me qenë një përkrahje më e madhe, atëherë sukseset kishin me qenë më të mëdha”, ka thënë ai.

Karahoda ka thënë se tri qendra televizive e kanë blerë të drejtën e shfaqjes së filmit për Gjermani, Francë dhe Finlandë, kurse aktualisht po zhvillohen negociata edhe me një qendër televizive në Zvicër.

(r.m.)

Comment

*